Sokol Haliti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haliti: Shkolla ‘Halil Alidema’ do të jetë e gatshme për gjysmë-vjetorin e dytë

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti kishte premtuar ndërtimin e shkollës ‘Halil Alidema’ në Pozheran që nga viti 2016.

Ne debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, Haliti arsyetoi mos përfundimin e punimeve për objektin e ri të kësaj shkolle i cili nuk është funksionalizuar as për këtë vit.

“Ka shkollë të re, shkolla e re vetëm pritet të finalizohet. Buxhet i madh ka qenë për komunën e Vitisë, Ministria e Arsimit ka qenë investitor dhe ia ka bartë Ministrisë së Administratës Publike. Ende nuk është kryer, plani dinamik është tejkalu”, theksoi Haliti.

Mirëpo i pari i komunës së Vitisë premtoi që në gjysmë-vjetorin e dytë nxënësit e kësaj shkolle do të ulen në bankat e reja.

“Ne po shpresojmë shumë që pjesën e dytë të vitit shkollor, shkolla të kompetohet, besoj që në gjysmë vjetorin e dytë do të jemi gati”, tha ai.

Që nga viti 2012, shkolla ‘Halil Alidema’ është konsideruar si e papërshtatshme për mbajtjen e mësimit nga inspektorati në Viti. Mirëpo nxënësit kishin mbajtur mësimin aty deri në nëntor të viti të kaluar, kur tërmeti në Durrës e shkatërroi edhe më shumë këtë shkollë.

Mirëpo ky nuk është problemi i vetëm i trajtuar në debatin ‘Jeta në Komunë’.

Haliti u ballafaqua me premtimet e tij të dhëna në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.

Përveç kryetarit Haliti , prezent në studio do të jenë edhe asamblistët: Bekim Azizi- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Taulant Haxhiu- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Nijazi Isaku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Mirlinda Tishukaj- Sadiku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Valbona Haziri- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ndërsa të kyqur në Zoom do të jetë i kyçur Florim Brahimi nga organizata ‘Euloc’ në Viti.