Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Vonoi deklarimin e pasurisë, drejtori i pyjeve në Mitrovicë gjobitet me 300 euro

Gjykata e Mitrovicës e ka shpallur fajtor drejtorin e pylltarisë për rajonin e Mitrovicës.

Agim Dervishaj është dënuar me 300 euro gjobë për mos raportim të pasurisë.

Gjobën i pandehuri Dervishaj është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në rast se nuk e paguan gjobën prej 300 euro, dënimi do t`i zëvendësohet me burgim, duke iu  llogaritur një ditë 20 euro.

Vendimin e ka shpallur gjyqtarja Lidija Vuqoreviq, pasi paraprakisht në shqyrtimin fillestar i pandehuri e ka pranuar fajësinë.

Sipas prokuroris në Mitrovicë, Agim Dervishaj në periudhën kohore 1 – 31 mars 2019, në Mitrovicë, në cilësinë e udhëheqësit rajonal të drejtorisë së koordinimit në Mitrovicë – Agjencionit Pyjor të Kosovës, si zyrtar i lartë, ka qenë i obliguar që Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) t`ia raportojë pronën, të ardhurat, dhuratat dhe përfitimin tjetër, të dobisë ose obligimeve financiare në afatin në fjalë për vitin paraprak prej 1 janar – 31 dhjetor 2019.

Por i pandehuri nuk kishte raportuar pronën e tij në afatin e paraparë, këtë e kishte bërë me vonesë, më 2 prill 2019.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiere”.

Paraprakisht në gjykatën e Mitrovicës është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar, ku pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Jagodinka Nikoliq, i pandehuri ka deklaruar se pranon fajësinë.

Edhe prokurorja Nikoliq i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga i akuzuari dhe ta marrë si rrethanë lehtësuese.

Ndërsa mbrojtësja e të pandehurit, avokatja Shqipe Mehmeti, e ka mbështetur pranimin e fajësisë dhe i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë atë, dhe ta marr si rrethanë lehtësuese pasi që sipas saj i pandehuri për herë të parë ka rëne ndesh me ligjin.

Pranimi i fajësise me pas është aprovuar nga gjyqtarja e rastit..