Varroset 27 vjeçari që u vra në Mitrovicë

Në fshatin Dolak të Vushtrrisë i është dhënë lamtumira e fundit 27 vjeçarit, i cili mbeti i vrarë të shtunën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë

V. F., mbeti i vrarë pas një sherri që kishte nisë për një fidane të lajthisë, në tregun ku kishte dal të shiste.

Më herët Kallxo.com ka raportuar për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për veprën penale vrasje e rëndë.

Ky rast tragjik ndodhi të shtunën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, ku i vrarë mbeti viktima 27 vjeçar V. F., dhe u plagosën dy persona të tjerë, L. F., dhe A. A., kalimtar i rastit.

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh një të dyshuari për veprën penale vrasje e rëndë.

Në vendimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit, përshkruhet se një fidan e lajthisë ishte bërë sherr për fillimin e një zënke në mes të tashmë të ndjerit si shitës dhe Sh. A., si blerës i fidanit.