Supercampers reagojnë ndaj deklarimeve të Haskukës: Kajaku nuk është projekt i Komunës

Në emisionin Jeta në Komuna kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuks është pyetur për projektet e parealizuara në turizëm.

KALLXO.com nga hulumtimi në teren ka gjetur se dy projekte “Kajaku” dhe “Auto Kamp” vetëm në ditën e përurimit kanë qenë funksionale, por ditë më vonë këto projekte kanë dështuar të zbatohen dhe të shfrytëzohen nga qytetarët.

Valon Xhabali nga organizata “Ec ma Ndryshe” ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, konsultim me shoqërinë civile, që zbatimi i projekteve në terren të mos dështojë.

I pyetur në emisioni “Jeta në Komunë” pse Komuna nuk ka përmbushur obligimin e saj për pastrimin e lumit Drin në Nashec, kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka ka thënë lumi i Drinit të Bardhë është kompetencë e Ministrisë, por nuk ka dhënë sqarime se e cilës ministri dhe cilat janë këto kompetenca të Ministrisë.

Pas debatit “Jeta në Komunë”, sot ka reaguar edhe Organizata “Supercampers” të cilët kanë përgënjeshtruar deklarimin e Haskukës dhe kanë sqaruar se Komuna nuk ka përmbushur asnjë nga obligimet që ka pasur lidhur me projektin “Kajaku” dhe “Biçikleta malore”.

Ata kanë vënë thënë se Komuna e Prizrenit nuk ka paguar dhe nuk do të paguajë për kajakët dhe biçikletat, si dhe faktin se ky projekt nuk është i komunës por i operatorit privat “Supercampers”.

“Supercampers” kanë shkruar se Komuna e Prizrenit nuk e ka plotësuar detyrimin e vet për instalimin e infrastrukturës përcjellëse (ujë dhe kanalizim) për njërin nga elementet e projektit.

Tutje në reagimin e tyre, “Sueprcampers” kanë sqaruar se projekti “Kajak, Çiklizëm, dhe Glamping” është ide e ndërmarrë nga “Supercampers”, bashkëfinancuar nga PPSE (Swiss Contact dhe Swiss Development Cooperation).

Kurse në kontratën ku edhe Komuna e Prizrenit ka qenë palë e tretë, kjo e fundit është zotuar se do ta mbështesë këtë projekt me infrastrukturën përcjellëse: ujë, kanalizim, qasje në rrjet elektrik dhe se Komuna e Prizrenit ka pasur për detyrë që ta promovojë dhe ndihmojë këtë projekt, thuhet në reagimin e Supercampers.

Këta të fundit kanë thënë se kanë kërkuar nga Komuna të bëjë pastrimin e rrjedhës së Drinit të Bardhë në mënyrë që të mund të realizohen aktivitete ne lum, mirëpo gjendja e lumit është e njëjtë sot e asaj dite, thuhet në reagimin e Supercampers.

“Jemi të dëshpëruar dhe indinjuar që Komuna e Prizrenit ka shfrytëzuar ftesën tonë vetëm për promovim dhe shkrepjen e disa fotove, dhe asnjë hap tjetër nuk është ndërmarrë në lidhje me këtë projekt. Nuk jemi konsultuar për krijimin e platformës Visit Prizren (ndonëse jemi njerëz që ekzekutojmë aktivitete turizmi në terren, sjellim turistë nga jashtë etj), ftesat për panaire i kemi pranuar gjithnjë me vonesë që e ka bërë të pamundur përgatitjen për pjesëmarrje, projekt propozimet të cilat i kemi përgatitur me mundin dhe shpenzimet tona (si ai për shtegun e çiklizmit malor) janë ekzekutuar me minimumin e standardeve që kemi sygjeruar”, thuhet në reagim.

Në prill të viti 2019, kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka i përvoli mëngët, veshi jelekun e portokalltë të sigurisë dhe shkoi në lumin Drin në Nashec për të promovuar ofertën e re në Prizren, kajakun.

Mirëpo pos Haskukës këtë ofertë në lumin Drin të Nashecit pak qytetarë kanë mundur ta shfrytëzojnë, pasi deri më sot Komuna nuk ka përmbushur obligimet dhe detyrimet e saj karshi projektit dhe investitorëve.