Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Specialja aprovon ankesat e mbrojtësve të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për gabimet në akuzë

Gjykata Speciale i ka pranuar ankesat e mbrojtësve të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, të cilat ishin bërë lidhur me gabimet në aktakuzë.

Avokati  i Haradinajt kishte kundërshtuar akuzën duke sfiduar juridiksionin e Dhomave të Specializuara dhe duke pretenduar se kishte defekte në formën e aktakuzës.

Gjykata ka gjetur se Prokuroria nuk i ka mbështetur rrethanat e përmendura dhe se në aktakuzën e ndryshuar siç qëndron mungojnë detaje të tilla.

“Kur një aktakuzë nuk arrin të sqarojë dhe konfirmojë faktet specifike materiale që vërtetojnë akuzat, ajo aktakuzë do të konstatohet se është e dëmtuar“, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Po ashtu Gjykata ka specifikuar se kur në aktakuzë përdoret gjuhë e paqartë si p.sh. “Ndër të tjera” ose “përfshirë, por pa u kufizuar në”, atëherë padia mund të konsiderohet të jetë shumë e paqartë për qëllimet e identifikimit të krimeve për të cilat i akuzuari duhet ta mbrojë veten e tij.

Por Gjykata gjithashtu në vendim ka thënë se Dhoma në shkallën e parë nuk ka juridiksion për të vendosur për ankesat lidhur me akuzën, duke mos dashur të paragjykojë nëse aktakuza është e dëmtuar për arsyet e përshkruara.

Mbrojtësit e Gucatit dhe Haradinajt ishin ankuar për aktakuzën e ngritur ndaj tyre, duke e bazuar atë mbi dyshimet lidhur me shkeljet e mundshme ligjore që mund të ishin bërë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ankesa e mbrojtësve nga gjyqtari i procedurës paraprake është dërguar në Gjykatën e Apelit.

Gjyqtari i procedurës parapake ka thënë se zgjidhja e çështjeve të paraqitura në ankesën e avokatëve do të ndikonin në zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurave dhe një zgjidhje të menjëhershme nga Gjykata e Apelit në lidhje me to mund t’i përparojë materialisht procedurat.

Po ashtu nga gjyqtari i procedurës paraprake është adresuar kërkesa për Gjykatën e Apelit që sa më shpejt ta japë një vendim për çështjet e ngritura nga avokatët e  Gucati dhe Haradinajt.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator në Prishtinë e më pas ishin transferuar për në Hagë. Ata ishin arrestuar pasi dyshoheshin se kishin ndërmarrë veprime për pengim të punës së dhomave të specializuara duke shpërndarë informacione konfidenciale dhe frikësuar dëshmitar.

Pak muaj pas arrestimit, ndaj tyre prokurorët e specializuar kishin ngritur aktakuzë e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor të vitit 2020.

Dy krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati në seancën e parë të paraqitjes së tij, ishte deklaruar i pafajshëm ndërsa Haradinaj nuk kishte dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e tij.

Sipas aktakuzës në prill dhe shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë këta persona ishin quajtur gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë nga dy krerët e OVL të UÇK-së.

Përpos kësaj pike të dy akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe Prokurorisë së Specializuar.

Përveç shpërndarjes, ata akuzohen se inkurajuan të tjerët të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj organizuan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik përmes thirrjes së konferencave për media.

Në këto konferenca në aktakuzë thuhet se mbi tavolina u ekspozuan dokumentet e Dhomave të Specializuara.

Sipas prokurorisë ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.