Ilustrim

Skenderaj - Nxënësi kapet me armë në shkollë

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e paradites së sotme zyrtarë policorë në Skenderaj, brenda hapësirave të një shkolle të mesme profesionale kanë hasur në një të dyshuar të mitur, tek i cili është gjetur dhe sekuestruar një armë e llojit ‘Pistoletë” dhe një karikator pa municion.

Sipas policisë arma e sekuestruar si provë materiale do t’i kalojë Prokurorisë për procedura të mëtejme.

Për këtë rast në prani të avokatit është intervistuar i dyshuari i mitur R. M., 17 vjeçar, ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku rasti është iniciuar dhe po hetohet si vepër penale ’’Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës’’.

Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar për parandalimin, identifikimin e gjësendeve të rrezikshme, përfshirë edhe armë dhe mjete tjera që nuk i përkasin procesit edukativo-arsimor në shkolla.