Skender Musa - drejtuesve të OAK-së: Jeni të dobët, të korruptuar e shumë hakmarrës

Në Kuvendin e Odës së Avokatëve të Kosovës i cili është duke u mbajtur që nga mëngjesi i ditës së sotme, është paraqitur raporti i Këshillit Mbikëqyrës të këtij institucioni për vitin 2020.

Raporti i Këshillit Mbikëqyrës, punën e Odës e paraqiti si të suksesshme dhe pa ndonjë shkelje.

Naim Spahiu i cili e prezantoi raportin, tha se nuk ka gjetur ndonjë pagesë që është kryer në kundërshtim me rregullativën e OAK-së.

Por mendim krejtësisht të kundërt shprehu avokati Skender Musa.

Musa e akuzoi kryetarin dhe nënkryetarin e Odës për shumë parregullsi që tha se janë bërë.

Madje Musa e cilësoi udhëheqjen e Behar Ejupit, kryetar i OAK-së, si udhëheqjen më të korruptuar.

“Asnjëherë nuk kam parë kryesi më të dobët, më të korruptuar dhe që hakmerret më shumë”, tha avokati Musa.

Ai tha se kryetari Behar Ejupi ka përfituar rrogë që është në kundërshtim me rregulloren.

“E dëgjova raportin e Këshillit Mbikëqyrës dhe me të vërtetë u ndjeva mirë kur tha se nuk ka gjetur asnjë lloj shkelje. Por a e di ky Këshilli Mbikëqyrës se kryetari i Odës së Avokatëve Behar Ejupi, në kohën e pandemisë ka marrë rrogë 1,974.92 euro, afër 500 euro më shumë se sa që ja lejon rregullorja”, deklaroi Musa.

Ai po ashtu tha se përkundër fjalëve të kryetarit të OAK, sipas mendimit të tij, Oda asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të dobët, me ç‘rast e përmendi edhe mospjesëmarrjen e ndonjë përfaqësues të Odës së Avokatëve në Komisionin Vlerësues për Provimin e Jurisprudencës.

“Kur kemi pasur pozitë më të dobët? Kush është përfaqësuesi i Odës në Komision të Jurisprudencës? Kolegu ynë është hequr dhe në vend të tij ka shkuar një gjyqtar. Kush është përfaqësues i Odës në Këshillin Prokurorial? Cili është avancimi i pozitës së avokatëve, avancimi i pozitës së avokatëve është bërë vetëm nga zyra e kryetarit dhe të afërmeve të tij”, deklaroi avokati Skender Musa.

Kryetari i OAK: 6 minuta pasi e pranova detyrën, Policia më erdhi në zyrë