Shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për krim të organizuar dhe transport të armëve

Në gjykatë e Prishtinë sot ishte paraparë të filloj gjykimi ndaj të akuzuarit M. F. I lartcekuri akuzohet për krim të organizuar dhe import, eksport, furnizim, transportim, prodhim e këmbim të armëve apo materieve plasëse.

Tutje akuza e Prokurorisë thotë se në dy periudha kohore përkatësisht 01.07.2013 deri me 23.11.2013 dhe gjatë dhe gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri me datë 24.07.2019, me dashje dhe me dijeni, si grup kriminal me pjesëtarë të tjerë i pandehuri ka kryer vepra penale të dënuara me së paku 4 vjet burgim.

Aktakuza thekson se i pandehuri M. F. aktivisht ka marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Sipas akuzës duke e ditur se pjesëmarrja e tij do të kontribuoj në realizimin e veprimtarisë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim, ndërmjetësim, dhe shitje të paautorizuar të armëve dhe duke vepruar së bashku me të pandehurit tjerë me vetëdije kanë transportuar dhe sjellë armë dhe municion të ndryshëm, nga Maqedonia e Veriut për në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Me këto veprime i pandehuri M. F. ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “ Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Seanca e sotme e shqyrtimit fillestar ka dështuar të mbahet.

Arsye e mos-mbajtjes ishte mos-paisja me shkresa të lëndës e avokates Vjosa Bytyqi e cila në këtë rast e mbron të pandehurit.

Andaj ajo ka kërkuar shtyrjen e seancës.

Gjyqtarja e rastit Shadije Gërguri ka aprovuar propozimin e avokates dhe seancën e ka shtyrë për një datë tjetër.