Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet seanca ndaj dy policëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Nebojsha Vukojeviq dhe Sreçko Janiçijeviq, e planifikuar të mbahet sot në Gjykatën e Mitrovicës ka dështuar.

Dy zyrtarë policor, i pari në Zveçan, kurse tjetri në Leposaviq po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare pasi u bën pjesë e një konflikti mes disa qytetarëve për një borxh.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Bekim Veliqi, ka njoftuar palët se mbrojtësi i të pandehurit Nebojsha Vukojeviq, avokati Miodrag Bërklaq nuk është prezent në gjykatë.

Gjyqtari Veliqi, ka konstatuar se avokati Bërklaq e ka njoftuar paraprakisht gjykatën se për shkaqe shëndetësore nuk mund të prezantojë në seancë.

Andaj në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, trupi gjykues seancën e sotme e ka shtyrë për muajin shkurt.

Të akuzuarit Vukojeviq dhe Janiçijeviq, të dy zyrtarë policorë, i pari në Zveçan kurse tjetri në Leposaviq po akuzohen se u bën pjesë e një konflikti mes disa qytetarëve për një borxh.

Sipas akuzës Janiçijeviq dhe Vukojeviq e kishin detyruar të dëmtuarin Jugoslav Andriq, që t’ia jap Dejan Veljkoviqit 360 euro.

E gjithë ngjarja sipas prokurorisë kishte ndodhur në korrik të viti 2016 kur Andriq kishte shkuar në fshatin Drenov për të blerë dru nga personi Vladan, ndërsa aty kishte shkuar edhe Dejan Veljkoviq.

Veljkoviq po kërkonte nga Andriq para në shumën prej 400 euro për drutë të cilat ia kishte shitur para një viti, ndërsa Andriq ishte përgjigjur se drunjtë atëherë ia kishin konfiskuar policia pasi që nuk kanë qenë të vulosura.

Prokuroria thotë se atëherë Veljkoviq filloi ta kërcënojë të dëmtuarin se do ta thërras një person që do ta djegë kamionin e tij nëse nuk i jep paratë, ose do ta thërrasë vëllain e tij polic për t’ia marrë paratë.

Me pastaj Dejani kishte thirrur në telefon policinë të cilët kishin arritur pas 10 – 15 minutave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, njëri polic tani i akuzuari, Nebojsha Vukojeviq e kap për dore të dëmtuarin Andriq, i cili ishte në kamion. Vukojeviqit i ka ndihmuar edhe polici, tani i akuzuari, Sreqko Janiçijeviq të cilët e kishin tërhequr të dëmtuarin Andriq 5 deri 6 metra duke e afruar deri te automjeti i policisë.

Kurse duke e kërcënuar se do ta dërgonin në Gjykatë në Vushtrri, apo nuk do ta lëshonin nga vendi ku ishte, e detyrojnë Andriq që t’ia jap paratë Dejanit. E gjitha kjo sipas akuzës ishte parë nga dy dëshmitarët Radisha Llazoviq dhe Sllobodan Pandriq të cilët kishin qenë në kamion dhe po e vështronin ngjarjen.

Prokuroria thekson se i dëmtuari Andriq nën presionin e policëve kishte nxjerrë nga xhepi paratë në shumë prej 360 euro dhe në prezencë të tyre ia jep paratë dëshmitarit Dejan, ndërsa ky i fundit iu thotë policisë “lironi tani Jugosllavin”.

Më këtë prokuroria i ngarkon policët me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.