Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet seanca e të akuzuarve për sulm ndaj policëve në Mitrovicë

Seanca  e paraparë të mbahet sot në Gjykatën e Mitrovicës ndaj të akuzuarve Agron Murati dhe Musa e Vehbi Mulliqi ka dështuar.

Arsye e mos mbajtjes ishte kërkesa e avokatëve mbrojtës të të pandehurve të cilët paraprakisht nuk ishin pajisur me shkresa të lëndës nga prokuroria.

Babë e bir akuzohen nga Prokuroria e Mitrovicës se në korrik të këtij viti kanë pengur dhe sulmuar policët gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Përkatësisht, Musa Mulliqi akuzohet se në muajin e kaluar në Mitrovicë derisa zyrtarët policor A.A dhe Sh.T po kryenin detyrën e tyre dhe e paralajmëruan të pandehurin që të largojë veturën e parkuar të tipit “ Mercedes “ e cila sipas akuzës kishte bllokuar rrugën, i pandehuri filloi të kundërshtojë policinë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari kishte filluar t’i ofendojë dhe t’i refuzojë urdhërat e policëve dhe në momentin kur tentuan ta arrestojnë atë dhe ta nxjerrin nga vetura, ai i sulmoi  fizikisht.

Pas kësaj policët kishin bërë thirrje për asistencë edhe njësive të tjera patrulluese, për të arrestuar të pandehurit.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën “ Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare “, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa Vehbi Mulliqi akuzohet se në ditën dhe kohën e njëjtë kishte sulmuar personin zyrtar policor – të dëmtuarin A.A dhe Sh.T.

Në ditën kritike ndërsa ishte në kompaninë e tij “ Remo com “, i pandehuri Mulliqi nga dritarja kishte parë oficerët e policisë duke arrestuar djalin e tij.

Me pas, sipas prokurorisë, ai kishte dalur nga lokali duke kërcyer mbi një veturë të parkuar dhe më pas kishte  sulmuar fizikisht personat zyrtar duke i goditur me duar dhe këmbë.

Në këtë rast i pandehuri Mulliqi i kishte shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit,Sh.T  në formë të gërvishtjeve në regjionin e bërrylit të majtë dhe skuqje rreth syve.

Ndërsa të dëmtuarit A.A lëndime në formë të ndrydhjeve të indeve të buta të kraharorit të majtë dhe mbi gjurin e majtë.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “ Sulm “.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Agron Murati – akuzohet për pengim të personit zyrtar i cili kishte ndërhyre në mes të zyrtarëve policor dhe të pandehurve Mulliqi dhe i pengoi zyrtarët policor të arrestojnë të pandehurit, gjë e cila u konfirmua nga të dëmtuarit që kishte pesona që i pengonin ata të kryejnë detyrat e tyre zyrtare.

Po ashtu avokatët Mahmut Halimi dhe Ali Rexha të cilët i mbrojnë të pandehurve Mulliqi kanë kërkuar që të njëjtëve tu ndryshohet masa e arrestit shtëpiak, por prokuroria ka deklaruar që mbetët në tërësi pranë kërkesës së që atyre tu vazhdohet masa e arrestit shtëpiak.