Shtyhet seanca e gjykimit për vrasjen e vitit 2016 në Podujevë

Seanca e rigjykimit në rastin ku të akuzuar janë Sadat e Fejard Llugaliu për vrasjen e Fahri Bunjakut është shtyrë.

Kjo ngjarje kishte ndodhur në shkurt të vitit 2016 ndërsa pretendohet se asaj i ka paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve.

Seanca e së hënës është shtyrë pas kërkesë së avokatit Ahmet Tahiri i cili në këtë rast është përfaqësues i të dëmtuarit Mensur Bunjaku.

“I dëmtuari ka pasur një sulm në zemër dhe ka vendosur tri stenta andaj nuk mund të prezantojë në këtë seancë. Rrjedhimisht ne si palë e dëmtuar meqenëse sot ka qenë e paraparë dëgjimi i dëshmitarëve, të cilët nga pala e dëmtuar kërkojmë qe kjo seancë të shtyhet për datë tjetër. Dhe gjykatës ja ofron një kopje të lëshimit për të dëmtuarit”, tha Tahiri.

Propozimi për shtyrjen e seancës nga avokati Tahiri u mbështet edhe nga prokurorja e rastit Besa Limani.

Kurse mbrojtësi i të pandehurit Sadat Llugaliu, avokati Gezim Kollçaku, i ka thënë trupit gjykues se meqenëse dëshmitari R.L i cili ishte prezent në gjykatë e që sipas tij e kishte të kufizuar lëvizen për shkak të rrethanave të ngjarjes, ka propozuar që të mos shtyhet seanca por të dëgjohej ky dëshmitar.

“Duke marrë parasysh se këtu kemi dëshmitarin R.L që ka të kufizuar lëvizjen për shkak të rrethanave të ngjarjes, propozoj që ky dëshmitar të dëgjohet në rrethanat për të cilat gjendet këtu”, tha Kollçaku.

I të njëjtit mendim me avokatin Kollçaku ka qenë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fejard Llugaliu, avokati Skender Musa.

“Mbështes avokatin Gëzim Kollçaku, për shkak se do të dëgjojmë vëllaun e të pandehurve i cili ka dhënë tri deklarata, me vetë faktin se pala e dëmtuar ka dy përfaqësues me autorizim dhe besoj se nuk dëmtohen interesat e tyre”, tha Musa.

Ndërsa avokati Tahiri ka deklaruar se ishte në seancë për hir, siç u shpreh ai të korrektësisë për të njoftuar turpin gjykues me gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit.

Pas kësaj trupi gjykues me kryetar Kujtim Krasniqi dhe anëtarët Luljeta Namani Hajra dhe Nushe Mekaj kanë aprovuar propozimin e avokatit Tahiri dhe seancën e shqyrtimit gjyqësor e kanë shtyrë për 20 nëntor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve, sepse me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë, i kanë dalë në pritë dhe kanë shtënë në drejtim të tij.

Sipas aktakuzës, Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij e pastaj duke e goditur me shkopinj druri.

Nga plagët e marra Bunjaku vdiq në QKUK, thuhet në aktakuzën e prokurorisë në Prishtinë.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e shkallës së dytë, ajo e Apelit.

Kurse sipas vendimit të shpallur nga gjykata e shkallës së parë i akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte  dënuar me 18 vite burgim efektiv.

Ai ishte gjetë fajtor për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për të cilën vepër ishte dënuar vëllai i tij, Fejard Llugaliu, me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Ndërsa për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu është liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte arritur të vërtetohet se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.