Shtyhet seanca e gjykimit ndaj të pandehurve për transportin e naftës nga Serbia

Rasti i njohur si “ Transporti “, i cili është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave në gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet sot, në po të njëjtën gjykatë.

Arsye e mos mbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e katër të akuzuarve dhe dy avokatëve.

Për të pandehurit Agron dhe Gentrit Zymeri, avokatja Shqipe Mehmeti i ka dorëzuar gjykatës raportin e ekzaminimit mjekësor dhe deklaratën e betimit të të akuzuarit Agron Zymeri, i cili është babai i të akuzuarit Gentrit Zymeri, duke i tregu gjykatës së të pandehurin nuk janë mirë me shëndet dhe nuk mund të prezantojnë në seancë.

Kurse avokatët Avdi dhe Diar Dinaj kanë thënë në gjykatë se edhe të mbrojturit Albion dhe Demë Lokaj për arsye shëndetësore nuk kanë prezantuar në gjykatë.

Për arsye shëndetësore kanë munguar edhe avokatët Muharrem Ramadani dhe Xhafer Maliqi, të cilët paraprakisht e kishin njoftuar gjykatën.

Andaj në mungesë të kushte ligjore, kryetari i trupit gjykues Beqir Halili, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia seancën e ka shtyrë në afat të pacaktuar.

Akuza e Prokurorisë Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të akuzuarit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale -kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.