ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Rrëfimet e dëshmitarëve në gjykimin e Gani Gecit, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Në seancën e pestë të rigjykimit ndaj të akuzuarit Gani Geci, sot në Gjykatën e Mitrovicës janë dëgjuar edhe katër dëshmitarë.

Gani Gecit i akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në Skenderaj.

Idriz Morina i cili kishte punuar gazetar- kryeredaktor në gazetën “Bota Sot”, ka thënë para gjykatës së ishin kërcënuar nga tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri, kurse ka thënë se mbetej në tërësi pranë dëshmisë së dhënë në shqyrtimet e mëparshme.

“Ruzhdi Shaqiri ka qenë në zyre, para se të vinte në redaksi më ka thirrë në telefon se do të vinte gjithsesi në redaksi, unë, por pavarësisht kësaj ai ishte nisur të vinte në redaksi dhe në momentin që unë e kam hap derën e hyrjes së zyrës ai u shfaq në korridorin e hyrjes së përgjithshme të ndërtesës për të cilën gjë kam dëshmuar në deklaratat e atëhershme, ishte këmbëngulës, shumë i rrezikshëm, kërcënues”, tha dëshmitari.

Dëshmi gjatë kësaj seance ka dhënë edhe Nehat Shaqiri, i cili po ashtu kishte punuar në gazetën “Bota Sot”, ku po ashtu ka deklaruar se kishin marr kërcënime nga i ndjeri Shaqiri, pas një botimi të atëhershëm në gazetë, publikim i cili sipas dëshmitari ishte një lajm nga raporti i policisë dhe një raport tjetër nga “NATO”, rreth Shaqirit.

“Ai në redaksi ka ardh pas botimit të një shkrimi që është botuar rreth një javë më herët, në gazetën “Bota Sot’, ku kam punuar. Shkrimi ka qenë për një plagosje që e ka bërë Jakup Nura në Prishtinë, ka qenë raport i policisë, Jakup Nura e ka plagos një person, ata të dy kishin qenë diçka të afërm, shkrimi ka qenë raport i policisë të cilin e dërgon, edhe ka qenë një raport i NATO-s që ka fol për Ruzhdinë dhe të kaluarën e tij kriminale, edhe pas botimit mua me ka thirrë personalisht në numrin tim të telefonit Ruzhdia, më ka kërcënuar, më ka sharë, më ka fyer ka thënë që e kam marr një avokat edhe kena me ndjek këtë lëndë me padi, pas çdo vendimi që merr gjykata na këtë punë kena me kry në mënyrë private“, theksoi dëshmitari.

Po ashtu dëshminë e tij gjatë kësaj seance të rigjykimit ishte Sokol Musliu.

Musliu është pyetur nga prokurori Naim Beka rreth takimit të cilin e kishte pasur i akuzuari Gani Geci me tani të ndjerin në një restaturant.

Dëshmitari duke u përgjigjur ka thënë se ky takim me aq sa i kujtohet ishte bërë rreth 10 ditë para ngjarjes, ku i vrarë kishte mbetur Ruzhdi Shaqiri.

Tutje dëshmitari ka thënë se kur Gani Geci kishte kërkuar ‘me i bo be me pleqtë, me bo be’, i ndjeri Ruzhdi Shaqiri i kishte thënë se’ nuk do të shkonte askush me bo be për të’.

“Kur i ka thanë Gania a mundesh me m’bo be me 24 pleq, Ruzhdia i ka thënë nuk muj boj se nuk vjen kërkush me bo be, edhe Gania ia ka nis me ia thjeshtësua sendet me ia bo me të thjeshta, i ka thënë a mund e merr dajën tënd e me ardhë me bo be, ai ka thanë me dajën tem nuk foli që gjashtë vjet edhe e ka sha, edhe Gania i ka thanë masi nuk po të vjen daja a mundesh me marr vëllain tënd, edhe ai ka thënë nuk um vjen as vëllai se nuk foli që dy vjet me ta edhe e ka sha edhe ata, edhe Gania ia ka kthy i ka thanë a mundesh me ardh me m’bo be veç vetë, edhe ai ka thënë mbas tre katër ditëve kur t’boj ma mirë“, ka thënë dëshmitari.

Gjatë kësaj seance ka dhënë dëshminë edhe Afrim Nura, i cili ka deklaruar se kishte qëndruar në burg me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri, por se atë e kishte njohur me emrin Ilir Tahiri, duke treguar për një reagim të cilin e kishte bërë i ndjeri Shaqiri kur kishte parë tani të akuzuarin Gani Geci në televizor.

“Kemi pasur kohën e caktuar për më shiku televizion në sallë një ditë prej ditësh Ganiu ka dal në televizion dhe ai u çu ma ka hek televizionin prej shteku, unë kam pyetur pse po e ndal, dhe ai tha për inati të këtij tradhtari të kofsha gjallë ko me ia nxjerr shpirtin, jo veç atij po tanëve atyre që janë aty, fatkeqësisht ai ka pasur më shumë përkrahës aty, që e kanë urrejt Ganiun dhe ka hasur në përkrahjen e tyre“, tha dëshmitari.

Rigjykimi ndaj Gecit ka filluar me 30 Mars.

Sipas akuzës së prokurorisë e cila ishte ndryshuar me 1 prill, Gani Geci akuzohet se me katër gusht 2014 në Skenderaj saktësisht në ballkonin e kafeterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

Akuza e prokurorisë thotë se kjo kishte ardhur si rezultat i një konflikti të mëhershëm të datës 19.10.2001 për plagosjen e Gecit dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

I pandehuri ishte duke dal nga brendësia e kafeterisë dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri ka qenë bashkë me personat Shani Koca, Nehat Koca, Sinan Hajrizi, Ermal Jusufi, Afrim Rama, Blerim Musliu dhe Emin Lati, të gjithë këta sipas akuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.

Derisa tani i pandehuri Geci ishte në shkallët e fundit të dalje nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin i cili sipas akuzës kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.

Gjithnjë sipas akuzës i pandehuri të ndjerit Shaqiri, i ishte drejtuar me fjalët “a i ke mbledhur pleqtë për t’u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10”.

Aty kishte filluar sherri kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gacit “zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj”, thuhet në akuzë.

Derisa ishte duke thënë këto fjalë Ganiu po ashtu fillon të ngritë dorën e djathtë, e drejton pas shpine dhe me këtë rast, i pandehuri është ndier, sipas akuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri, dhe kishte nxjerr revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

Nga plagët e marra Ruzhdi Shaqiri vdes rrugës për në Spitalin e Mitrovicës.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.