Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj 10 ish- inspektorëve të akuzuar për korrupsion

Sot në Gjykatën e Prishtinës ishte paraparë të bëhej shpallja e aktgjykimit ndaj dhjetë ish -inspektorëve të komunës së Prishtinës, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Megjithatë, por Gjyqtari Beqir Kalludra ka njoftuar se trupi gjykues ka vendosur rihapjen e shqyrtimit gjyqësor.

Në prill të vitit 2018 tashmë dhjetë ish- inspektorët e komunës së Prishtinë ishin shpallur fajtor nën akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ishin dënuar me rreth 20 vjet burgim.

Disa prej tyre ishin dënuar edhe me gjobë.

Pas ankesave të mbrojtësve të të pandehurve, Gjykata e Apelit e kishte anuluar vendimin e Gjykatës themelore të Prishtinës, duke e kthyer rastin në rivendosje.

Sot në gjykatën e Prishtinës ishte paraparë që të bëhej shpallja e aktgjykimit ndaj tyre, por kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra ka njoftuar të pranishmit se kanë vendosur që ta rihapin shqyrtimin gjyqësor pas fjalës përfundimtare të përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar.

Ai ka thënë se gjykata do të kërkojë nga i njëjti t’i sjellë prova gjykatës që objektet që janë ndërtuar e që janë objekt i akuzës a janë legalizuar apo është lëshuar leje për ndërtimin e tyre.

Tutje gjykatësi Kalludra ka thënë se do të kërkojnë nga përfaqësuesi që brenda një afati kohor prej dy javësh t’ia sjell gjykatës këto prova.

“ Meqenëse përfaqësuesi i të dëmtuarës nuk është në sallë në seancën e radhës do ta caktojmë me 30 shtator në orën 13:00. Ata të cilët mungojnë do të ftohen me ftesa të rregullta “, tha Kalludra.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ku të lartcekurit nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendonte se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Sipas aktit akuzues i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers” ka ndryshuar dokumentin origjinal publik, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, në mënyrë që gjatë muajit shtator të vitit 2013, në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, ka dorëzuar lejen ndërtimore, lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit për ndërtimin e një objekti në Prishtinë, të cilës leje ia ka bashkangjitur skicën e ndryshuar të projektit kryesor, duke u paraqitur se kinse posedon leje ndërtimore për atë objekt.

Me këtë prokuroria po akuzon se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit.