Gani Geci

Rigjykimi ndaj Gani Gecit, jep dëshminë shoqëruesi i tij i ditës kritike

Në gjykatën e Mitrovicë po vazhdon rigjykimi ndaj Gani Gecit i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në Skenderaj.

Gjatë seancës së sotme janë dëgjuar tre dëshmitarë në mesin e të cilëve edhe Zijadin Geci, i cili ditën kritike kishte qenë duke e shoqëruar Gani Gecin.

Dëshmitari Zijadin Geci ka treguar si kishte rrjedhur ngjarja deri në momentin kur kishin dëgjuar përshëndetjen “Selam Alejkum”, të thënë nga tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri.

“Aty janë shkallët që del në tarracë dhe shkallët që del në shesh. Unë kam qenë në shkallën e fundit që del në tarracë, për shkak se dashta me i tregu Ganisë kush na ka pagu kafet…edhe jena kthye dytë e kemi përshëndetë atë djalin dhe në ato momente kur e kem kaluar tavolinën ku ka qenë Ruzhdia ulur, atë e kemi parë pasi jemi kthyer kur kemi dëgjuar ‘Selam Alejkum“’, deklaroi dëshmitari.

Ai ka treguar edhe për reagimin e tani të akuzuarit Gani Geci, kur ky i fundit e kishte parë të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

“Në shkallën e fundit duke dal në shesh, e kena ni fjalën ‘Selam Alejkum’ edhe kur jena kthy kur e ka parë Gania, Ruzhdin u zbeh në fytyre shumë, edhe u mat a me shku në drejtim të tij apo jo, edhe i ka thënë ‘o ku je Ruzhdi a i ke bo pleqtë me bo be ku je kanë me nëntëmbëdhjetë tetor’. Në atë moment t’u dashtë me vet hala, Ruzhdia e ka shty tavolinën me dorë të majtë edhe e ka ofendua goxha rëndë, ia ka sharë nënën hup shko …….”, mandej…edhe kur ka dasht Ruzhdia me u qu e ka qit dorën e majtë në tavolinë, edhe të djathtën e ka qit mbrapa, po nuk kam mundur me vërejt dorën e djathtë a po e vë në karrige apo në trup, edhe ka kursit alltia”, tha dëshmitari.

Ndërsa prokurori e ka ballafaquar me deklaratën e dhënë me herët dëshmitarin, kur sipas saj, ai kishte thënë se nuk e kishte dëgjuar se çfarë i kishte thënë Gani Geci të ndjerit dhe anasjelltas. Dëshmitari Zijadin Geci ka thënë se me herët nuk është pyetur për këtë.

“Gjyqtar mu kerkush nuk me ka pyet më shumë, pyetje konkrete si ju tani, e saktë është kjo që po them sot”, tha dëshmitari.

Kurse dëshmitari Sejdi Gashi, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Naim Beka, ka thënë se kishte parë Gani Gecin duke shkrepur armën dhe largësia, sipas tij, kishte qenë afërsisht një apo dy metra.

Bahri Nika dëshmitar i propozuar nga mbrojtja, është pyetur nga avokati i Gani Gecit, Ndrecë Dodaj, për një porosi të cilën dëshmitari Nika ia kishte dërguar Gecit.

“Veç shokëve po edhe Ganisë i kam qu fjalë, se m’kanë thanë mos me nejtë me Ganinë. E ka potencua “veç shokëve“, a ka mundësi me na tregu cilëve shokë, këtë pyetje nuk e kam bërë atëherë, nëse të kujtohet”, pyeti avokati Dodaj.

Ndërsa dëshmitari ka thënë se shokët të cilëve iu kishte treguar ishin Faton Ramadani dhe Ardian Muja.

Ndërsa kryetari i trupit gjykues, Radosllav Markoviq e ka pyetur dëshmitarin, se a i kishin treguar ndonjë arsye kur i kishin thënë që të mos rrinte me Gani Gecin.

“Po me kanë thënë është spiun i UNMIK-ut, edhe mos rri me ta, Ruzhdia me Florim Ejupin me kanë kërcenu, se kena me vra”, tha dëshmitari.

Duke u përgjigjur në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, Nikolla Kabashiq se sa kohë ka kaluar prej kësaj bisede, kur kishte ndodhur incidenti, dëshmitari ka thënë se rreth dy javë më herët kishte qenë kjo bisedë.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve, trupi gjykues ka marr aktvendim ku janë konstatuar si të lexuara dëshmitë e dëshmitarëve Haxhi Ibrahimi dhe Bajram Haliti, gjithashtu është aprovuar edhe propozimi i prokurorit që të ftohet për t’u dëgjuar si dëshmitarë Bedri Shaqiri familjar i të dëmtuarit.

Rigjykimi ndaj Gecit ka filluar me 30 mars.

Sipas akuzës së prokurorisë e cila ishte ndryshuar me 1 prill, Gani Geci akuzohet se me katër gusht 2014 në Skenderaj saktësisht në ballkonin e kafeterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

Akuza e prokurorisë thotë se kjo kishte ardhur si rezultat i një konflikti të mëhershëm të datës 19.10.2001 për plagosjen e Gecit dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

I pandehuri ishte duke dal nga brendësia e kafeterisë dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri ka qenë bashkë me personat Shani Koca, Nehat Koca, Sinan Hajrizi, Ermal Jusufi, Afrim Rama, Blerim Musliu dhe Emin Lati, të gjithë këta sipas akuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.

Derisa tani i pandehuri Geci ishte në shkallët e fundit të dalje nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin i cili sipas akuzës kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.

Gjithnjë sipas akuzës i pandehuri të ndjerit Shaqiri, i ishte drejtuar me fjalët “a i ke mbledhur pleqtë për t’u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10”.

Aty kishte filluar sherri kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gacit “zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj”, thuhet në akuzë.

Derisa ishte duke thënë këto fjalë Ganiu po ashtu fillon të ngritë dorën e djathtë, e drejton pas shpine dhe me këtë rast, i pandehuri është ndier, sipas akuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri, dhe kishte nxjerr revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

Nga plagët e marra Ruzhdi Shaqiri vdes rrugës për në Spitalin e Mitrovicës.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.