Prokuroria e Mitrovicës

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të arrestuarit për narkotik

Drogë e sasi të konsiderueshme parash janë gjete nga hetuesit e antidrogës gjatë një bastisje dhe kontrolli në dy lokacione në Mitrovicën Veriore.

Kurse sot gjatë ditës policia ka njoftuar se gjatë realizimit të operacionit policor në dy lokacione të ndryshme janë sekuestruar para në valuta të ndryshme në (euro, dollar, franga, kruna e dinar), sprej si dhe një sasi e substancave të dyshuara narkotike (126 gram marihuanë) e dedikuar për shitje, etj.

Gjatë këtij aksioni është arrestuar edhe një person N.P., si i dyshuar për veprën penale “blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Po ashtu nga policia janë sekuestruar edhe tri fletore ku dyshohet se i dyshuari ka mbajtur shënime në lidhje me shitjen e substancave narkotike.

Kurse vlera e parave të konfiskuara tejkalon 135 mijë e 800 euro (mbi 135.800.00 €).

Prokuroria e Mitrovicës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit N.P.

Në arsyetim e kërkesës së prokurorisë ceken arsyet kryesore për caktimin e kësaj mase ndaj të dyshuarit: ekziston rreziku i ikjes pasi i pandehuri është shtetas i Serbisë, ndikim në dëshmitarë, vepra penale dhe mënyrën e kryerjes së saj, kryerja e vepra tjera të ngjashme penale ishin arsyet e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, raporton KALLXO.com.

Gjatë kontrollit të banesës së të dyshuarit, ishin gjetur 21.543,10 euro, 100 dollarë, 535,180 dinar të Serbisë dhe sprej.

Kurse në një lokacion tjetër ku ishte realizuar edhe një kontroll tjetër, ishin gjetur dhe sekuestruar 59.831 euro, 100 franga të Zvicrës, 100 dollarë amerikan, 300 kruna suedeze, 5,856,980 dinar serb, 3 fletore me shënime dhe 126 gram sasi e dyshuar e marihuanës.

Kurse avokati Mahmut Halimi i cili e ka përfaqësuar të pandehurin gjatë kësaj seancë, ka propozuar që të dyshuarit të mos i caktohet masa e paraburgimit por ka ofruar një shumë prej 10 mijë euro të cilat do t’i paguaj familja e të pandehurit, në mënyrë që të dyshuarit mos t’i caktohet masa e paraburgimit.

“Po që së kjo gjykatë konsideron se qëndron ndonjë dyshimi e pjesshme që krijon bazë për të aprovuar dyshimin e bazuar të prokurorit, konsideroj se lidhur me bazën e parë juridike për caktim të paraburgimit, pra frikës nga arratisja, jam i bindur se me ofrimin e një shume të caktuar në lartësi prej 10 mijë eurove, të cilat është e gatshme t’i paguaj familja e të pandehurit, të evitohet kjo bazë dhe paraburgimi i pandehurit të mos i caktohet”, tha Halimi.

Kurse sa i përket dyshimit për kryerjen e veprës për narkotikë, Halimi ka thënë se nuk asnjë mbështetje, dëshmi apo provë bindëse, se klienti i tij e ka kryer këtë vepër penale.

Halimi nuk e ka kontestuar faktin se gjatë kontrolleve në banesat e të pandehurit në dy lokacione janë gjetur shuma parash, por se sasia e drogës që është gjetur sipas tij nuk jep elemente shtese se i pandehuri këtë sasi të narkotikut e pasur për qëllime të shitjes, shpërndarjes dhe formave tjera sipas ligjit.

Kurse i pandehuri N.P., ka deklaruar në gjykatës se sasinë e narkotike të gjetur në banesën e tij e ka përdorur për qëllime medicinale.

“Dua të shtoj se nuk kam ndër mend të fshihem apo t’i arratisem gjykatës. D t’i përgjigjem 24 orë në këto dy adresa. Dua të shtoj për paratë e gjetura në banesën time dhe…me duhet pak kohë deri në seancën tjetër të sjell dokumentet e do të dëshmoj për secilin cent, që në mënyre ligjore ka prejardhje dhe është fituar në mënyrë ligjore dhe asnjë cent nuk është marrë në mënyrë të kundërligjshme. Në Serbi gjendjen ekonomike e kam të mirë, edhe unë edhe familja”, ka deklarua i pandehuri.

Lidhur me propozimin e prokurorisë gjykata e Mitrovicës pritet të vendos sonte.