Për vrasjen si pasojë e 60 mijë eurove borxh, i akuzuari dënohet me 16 vjet burgim

A.R. është dënuar nga Gjykata e Ferizajt me 16 vjet për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Në këtë rast të akuzuar nga prokuroria janë edhe D.K., për veprën penale mashtrim dhe pjesëmarrje në rrahje, se bashku me A.R.1, F.R., dhe A.R.2., secili veç e veç po ashtu për veprën penale pjesëmarrje në rrahje.

Gjyqtari Mustafë Tahiri pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe përfundimit të procedurës, ka shpallur aktgjykimin me ç’rast të akuzuarin A.R., për veprën penale si në aktakuzë e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej gjashtëmbëdhjetë (16) vjet, të pandehurin A.R.1. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet.

Fajtor nga gjykata është shpallur edhe i akuzuari F.R., me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet, të pandehurit A.R.2., i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) vit e tetë (8) muaj dhe të pandehurin D.K., e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej dy mijë e pesëqind (2,500) euro.

Sipas akuzës i pandehuri A.R., akuzohet se në shkurt të vitit 2018 në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.H.

Po ashtu në akuzën e prokurorisë thuhet se pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumën prej 60,000 eurove, lidhur me një veturë të markës BMW-X5 të cilin i pandehuri i kishte shitur D.K., me ndërmjetësimin e tani të ndjerit, e të cilin borxh D.K. sipas marrëveshjes është dashur ta paguaj deri me datën 28.02.2018.

I pandehur i shoqëruar me axhën dhe dajën e tij, kanë shkuar në Prishtinë për ta kërkuar borxhin, mirëpo D.K., ju thotë se do të vij në Ferizaj dhe e paguan borxhin, kështu që ata janë kthyer në kafeterinë e tyre, kurse D. dhe i ndjeri B. kanë arritur në të njëjtin vend më vonë me ç’rast  D. iu thotë se “ ju ma keni shqetësuar familjen që keni ardhur te shtëpia ime dhe këtë punë nuk e lan as hoxha e as prifti”, kështu që i pandehuri së bashku me babanë dhe vëllezërit e tij (pjesëmarrës në rrahje), janë revoltuar dhe ka filluar fyerja reciproke mes tyre.

Ndërsa F.R., e nxjerr jashtë tani të ndjerin B., por B.H., godet F.R., me kokë në pjesën e hundës dhe e rrëzon në tokë, atëherë dalin edhe i pandehuri A.R, A.R.1. dhe A.R.2. dhe fillon rrahja, atëherë B.H., fillon të ikë, kurse i pandehuri A.R. nxjerr pistoletën dhe shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit, me ç’rast njëra predhë e godet ne pjesën e nën gjurit të këmbës së majtë, kurse predha tjetër në regjionin e shpinës duke dalë në buzën e poshtme të gojës, e cila shqyen arterien karotide të majtë.

Akuza përshkruan se i ndjeri B.H., rrezohet në skaj të rrugës dhe në gjendje të shtrirë i pandehuri së bashku me babanë dhe vëllezërit e tij fillojnë ta godasin me shqelma në të gjitha pjesët e trupit duke i shkaktuar lëndime trupore, kurse si pasojë e gjakderdhjes i ndjeri B.H. ndërron jetë në vend të ngjarjes.

Po ashtu D.K. akuzohet se më 13.01.2018 në Ferizaj, me paraqitje të rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka mashtruar pronarin e auto sallonit A.R.1., në atë mënyrë që ka lidhë një kontratë për blerjen e automjetit “BMW X5.30 Xdrive, për çmimin prej gjashtëdhjetekatërmijë (64,000.00) euro, me ç’rast ka paguar 4,000 euro kurse shumën tjetër është dashur ta paguaj me 28.02.2018.

Mirëpo i pandehuri veturën e ka shitur, kurse paratë nuk ia ka paguar në afatin e caktuar, por ka shkuar te i dëmtuari kinse për të kërkuar afat shtesë, me ç’rast ka filluar të fyej, me arsyetimin pse i kanë shkuar te shtëpia për t’ia kërkuar borxhin duke ju thënë “se këtë punë nuk e lanë as prifti as hoxha“, kështu që ka filluar konflikti fizik mes tij dhe të dëmtuarit ku janë përfshirë edhe vëllezërit dhe babai i të dëmtuarit dhe shoku i tij B. i cili ka ndërruar jetë si pasoj e plagëve nga arma e zjarrit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.