Paraburgim ndaj të dyshuarve për falsifikim të 500 eurove

Gjykata e Prizrenit u ka caktuar masën e paraburgimit dy të dyshuarve, për veprën penale falsifikim i valutave monetare.

Prokuroria e Prizrenit ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.K., dhe D.G.

Sipas prokurorisë me datat 7 dhe 8 mars, i pandehuri D.G., duke e ditur që paratë janë të falsifikuara, i vë në qarkullim në tre raste, kartëmonedhat prej pesëqind (500) eurove.

Veprimet e të pandehurve sipas prokurorisë ishin bërë në atë mënyrë që paraprakisht merren vesh me të pandehurin B.K., ashtu që fillimisht i pandehuri D.G., i lë paratë në një vend të caktuar, e më pas shkon i pandehuri B.K., dhe pasi i merr paratë e falsifikuara i vë në qarkullim në lokacione të ndryshme duke i kërkuar të dëmtuarve që paratë e falsifikuara t’i këmbej me bankënota më të vogla, dhe pasi të dëmtuarit i kryejnë këtë shërbim, më pas i pandehuri B.K., këto para i kthen tek i pandehuri D.G., në vendin e njëjtë ku i kishte marrë paratë e falsifikuara, dhe për këtë shërbim i pandehuri B.K., fiton njëqind (100) euro.

Gjyqtarja e rastit Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 11.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.04.2021, ndaj të pandehurve B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikimi i parasë dhe D.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale falsifikimi i parasë.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve B.K., dhe D.G., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat për të cilat dyshohen.

Në fazat e mëtejme të procedurës penale, mbetet të vlerësohet nëse do argumentohen këto dyshime.

Gjyqtarja Skenderi ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse procedura penale është në fazën fillestare dhe do të dëgjohen të pandehurit, i dëmtuari si dhe dëshmitarë të tjerë eventual, gjithashtu duke pasur parasysh peshën e veprës penale e cila është e natyrës së rëndë, mënyrën dhe rrethanat në të cilët është kryer kjo vepër penale, si dhe ka rrezik se nëse të njëjtit lihen në liri do të vazhdojnë të kryejnë këtë vepër penale sidomos kur marrin parasysh faktin se i pandehuri D.G., dyshohet se i ka kryer tri vepra penale të kësaj natyre brenda dy ditëve.

Arsye tjetër për caktimin e paraburgimit gjykata ka marr faktin se po ashtu edhe në rrethin ku jetojnë të pandehurit, lënia e tyre në liri në këtë fazë të procedurës penale do të kishte ndikim negativ si dhe shqetësim për qytetarët për shkak të pasojave që mund të shkaktohen me këto vepra penale.

Andaj, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale si dhe parandalimit të përsëritjes së ndonjë vepre tjetër penale apo edhe ikjes ose fshehjes së të pandehurve.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankesë në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.