Trepça

Nesër gjatë ditës punëtorët e Trepçës pritet të marrin rrogat, greva nuk është ndërprerë ende

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka njoftuar se janë ekzekutuar 1 milion euro për Ndërmarrjen Publike “Trepça”.

Kurse ditë më parë, pas një takimi me Bordin e Trepçës, Qeveria e Kosovës kishte premtuar se do t’i ndajë 1.1 milion euro.

Punëtorët e Trepçës vazhdojnë të jenë ende pa rroga, ndërkohë që nga dita e djeshme, rreth 100 minatorë në Stan Tërg janë ngujuar në minierë pasi atyre ende nuk u kishin dal rrogat.

Kuçi përmes facebookut ka njoftuar se Ministria, në mëngjesin e sotëm ka ekzekutuar ndihmën financiare për Trepçën, në vlerë prej 1 milion eurosh.

“Duhet të sqarohet që pjesa prej 100,000.00 eurosh, që e kompleton ndihmën prej 1.1 milion euro, do të ndahet gjatë javës tjetër për shkak se këto alokime nga buxheti i pakos së rimëkëmbjes ekonomike do të duhet të votohet në Mbledhjen e Qeverisë mbi kriteret dhe motivet e ndihmës për subjektet e caktuara. Pra nuk është vetëm ndihma pre 1 milion euro, por do t’i bashkohet edhe shuma prej 100,000.00 eurosh”, shkroi ai.

Greva e minatorëve të Trepçës është duke vazhduar edhe sot kurse duke përfshirë edhe Minatorët ë minierës së Artanës janë rreth 900 minatorë që po vazhdojnë grevën, ka thënë Shyqri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës.

Por rrogat minatorët e Trepçës pritet që më se largu deri nesër gjatë ditës t’i kenë në llogaritë e tyre.

Besnik Krasniqi, udhëheqës i Njësisë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, tha për Radion Evropa e Lirë se deri të premten, punëtorët e Trepçës do të marrin rrogat.

“Procedurat administrative ligjore që kërkohen për t’i transferuara mjetet vetëm kanë përfunduar, është çështje procedurale derisa t’i dalin paratë Trepçës në llogarinë e saj. Besoj që deri nesër gjatë ditës punëtorët e Trepçës paratë duhet t’i kenë në llogaritë e tyre”, deklaroi Krasniqi.

Rrogat e pa marra deri tani janë kërkesa e vetme nga minatorët, të cilën edhe sot në datën 20 nëntor minatorët nuk e kanë marrë.

Por dorëheqje nga pozita e ushtruesi të detyrës së drejtorit të Bordit të ndërmarrjes “Trepça”, ka dhënë Hysen Vrajolli.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se Vrajolli ka dhënë dorëheqje  të parevokueshme nga kjo pozitë.

“Për shtatë muaj nuk kam lënë guri pa luajt prej vendi për me përmirësu ecurinë e prodhimit dhe aktiviteteve tjera në mënyre që Trepça të shkoj drejt rentabiliteti. kohëve të fundit një fushatë permanente është zhvilluar kundër angazhimit tim duke mos kursyer mjete e as metoda “, thuhet ne dokumentin e dorëheqjes së Vrajollit.

Ndërkohë Bordi i Përkohshëm i “Trepçës” tashmë ka zgjedhur Enes Muzaqin si Ushtrues të Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv në këtë ndërmarrje.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Sylejman Hyseni, kryetar i i Bordit Mbikqyrës.

Ai tha se Muzaqi është zgjedh me votë unanime në pozitën e re.

“U.D. Kryeshef i ri sot është zgjedh Enes Muzaqi”, ka thënë Hyseni.

Kryetari i Bordit ka thënë se Muzaqi ka edhe përvojë, prandaj edhe është zgjedh në pozitën e u.d. kryeshefit në “Trepçë”.

Qeveria e Kosovës më 13 nëntor ka konfirmuar se ka ndarë mbi një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për t’i tejkaluar problemet financiare, në të cilat ndodhet aktualisht kjo kompani.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.