Në pritje të pagave, minatorët grevistë thonë se mund të nisen në këmbë për Prishtinë

Afër 1 mijë minatorë të kombinatit Trepça janë futur përsëri në grevë

Sikur edhe shumë herë të tjera minatorët e Trepçës janë duke kërkuar pagat. Për këtë arsye punëtorët e ndërrimit të parë janë futur në grevë dhe nuk janë duke punuar.

Ekipi i KALLXO.com ishte ne vendin e ngjarjes ku në restaurantin e ushqimit janë mbledhur dhjetëra punëtorë kurse të tjerët janë duke grevuar në pjesë të ndryshme të minierës.

Gani Osmani kryetar i Sindikatës së Punëtorëve ka thënë se minatorët kanë ndërprerë punën dhe janë futur në grevë për shkak se një pjesë e tyre edhe pse ka filluar muaji mars, ende nuk i kanë marr rrogat e muajit janar.

“ Sot ndërrimi i parë miniera e Trepçës me flotacion në Stan Tërg që i ka 770 punëtorë, kanë refuzuar punën dhe kanë hyrë në grevë shkaku i pagave. Nuk janë paguar pagat e janarit, një pjesë i kanë marrë 70%, një pjesë nuk i kanë marr hiq. Tash erdh koha edhe pagën e shkurtit me marr në mars…1 milion e 700 mijë euro janë nda prej qeverisë së Kosovës që dy javë nënshkruar të gjitha dhe dikush po bënë pengesë, sikur të ishin qit ato mjete na i kishim marr pagat..”, tha Osmani.

Osmani ka thënë se grevës i janë bashkuar edhe 300 punëtorë në minierën e Kishnicës dhe të cilët sipas tij nuk janë duke punuar.

“ Afërsisht një mijë punëtorë nuk janë duke punuar “, tha Osmani.

Ismajl Haxha, minator në Trepçë ka thënë se nëse nuk i marrin pagat do të vazhdojnë grevën dhe do të shkojnë deri në Prishtinë në këmbë.

“ Jemi lodhur çdo herë me pritje dhe greva për të drejtat tona…ka mundësi që nëse nuk dalin rrogat në marrëveshje me këshillin organizativ me shku këmbë në Prishtinë “, tha Haxha.

Kurse U.D. i minierës me flotacion, Nexhat Dedia ka thënë se është nënshkruar një marrëveshje me qeverinë për subvencionimin e Trepçës por se për shkak të burokracisë dhe neglizhencës paratë ende nuk ekzekutuar.

“ Është organizuar një grevë, arsyeja është se me 16 është nënshkruar një marrëveshje për subvencionet me qeverinë edhe ende s’kanë dal mjetet, nuk e di tash për shkak të burokracisë së tyre dhe neglizhencës se njerëzve, të qëllimshme apo të pa qëllimtë nuk e di por këto vonesa po na shkaktojnë dëme edhe neve në prodhim. Ne duke falënderuar punëtoret dëri më tash kemi arrit me i nxjerr 16 mijë ton xehe këtë muaj, që është rekord..unë besoj që faji nuk është te ne as të minatorët, por faji është direkt te qeveria “, tha Dedia.

Dedia ka theksuar se kishte kontaktuar me kryeshefin dhe se ju kanë thënë se deri nesër do të ju lëshohen paratë në konton e Trepçës.

“ Unë kam kontaktuar me kryeshefin, ai me tha se ka kontaktuar me ministrin, i cili me tha se nesër në orën dhjetë lëshohen mjetet në konto të Trepçës, në biseduam edhe me minatorët dhe ju treguam për zgjidhjen, por minatorët janë të vendosur që derisa të dalin mjetet të mos punojnë “, tha tutje Dedia.

Sot gjatë ditës, ministri në detyrë i Ekonomisë, Muharrem Nitaj tha se po presin ekzekutimin e mjeteve

Greva e minatorëve, flet ministri në detyrë i Ekonomisë