Mitrovicasit protestojnë kundër dhunës seksuale ndaj vajzave e grave

“Kur atij nuk i vije turp për emrin e tij, mos ia mbroj as ti”, “Eduko mos neglizho“, “Jo do të thotë Jo”, “Na s’jena vetëm, na e kemi njana tjetrën”, “Lira nis prej trupi“, janë vetëm disa nga parullat me të cilat është protestuar kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave, sot në Mitrovicë.

Kjo protestë është organizuar nga aktivistet dhe aktivistët për të drejtat e njeriut dhe kundër dhunës ndaj grave në Mitrovicë, pas rasteve të shumta të paraqitura të dhunimeve në Kosovë, përfshirë edhe rastin e fundit në këtë qytet, ku është dhunuar një e mitur katërmbëdhjetë vjeçare.

 

Kësaj proteste, në të cilën po marrin pjesë një numër i madh i qytetarëve, u është bashkuar edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Në anën tjetër gjatë ditës së djeshme në gjykatën e Mitrovicë është mbajtur seanca paraprake për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e të miturës 14 vjeçare.

Kallxo.com kishte raportuar në vazhdimësi për rastin, ndërsa dy të dyshuarve ju është caktuara masa e paraburgimit prej 30 ditëve nga gjykata e Mitrovicës.