Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Mitrovicë – Subjektet afariste vazhdojnë të pushojnë të dielën

Në mbledhjen e kuvendit komunal të Mitrovicës i mbajtur dje, tetëmbëdhjetë asamblistë kishin votuar për “ Propozim/vendim për lejimin e bizneseve që të punojnë edhe gjatë ditës së diele deri më 31 dhjetor 2021 “

Komuna e Mitrovicës është ndër komunat e para e cila kishte marrë vendim që punëtorët e subjekteve afariste që të mos punojnë të dielave.

Për këtë reagim ka pasur nënkryetari i kësaj komune, Faruk Mujka.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se me këtë ndryshim u është mohuar e drejta punëtorëve në Mitrovicë për pushim në ditën e diel.

’’Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal 18 nga 35 Asamblistë votuan që punëtorëve në Komunën tonë të iu hiqet e drejta për pushim ditën e Diel, ashtu siç ndodh në të gjitha shtetet që përkujdesen për shtetasit e tyre…na u imponua regresi dhe shkelja e të drejtave të punëtorit si dhe mundësia për të pasur familjen e kompletuar së paku një here në javë, ku fëmijët do t’i kishin të dy prindërit përskaj tyre “, ka shkruar Mujka.

Por sot përmes një komunikate komuna e Mitrovicës ka sqaruar se vendimi i mëhershëm që dita e diel të jete ditë pushimi do te vazhdoj të jetë në fuqi.

Sipas komunës kjo do të vazhdojë deri në momenti kur MAPL të vlerësojë ligjshmërinë e vendimit të kuvendit që ishte marrë dje.

“ Komuna e Mitrovicës njofton të gjitha subjektet afariste që operojnë në Mitrovicë se dita e diel do të vazhdojë të jetë ditë pushimi, deri në momentin që MAPL do të vlerësoj ligjshmërinë e vendimit të Kuvendit Komunal, të datës 24.09.2020, që dita e diel të rikthehet si ditë e rregullt e punës për të gjitha bizneset “, thuhet në njoftim.

“ Me këtë rast, Drejtoria e Inspeksionit bënë të ditur që inspektorët komunal edhe këtë të diel do të inspektojnë të gjitha bizneset në respektimin e orarit të punës “, ka përfunduar njoftimi i komunës.