Komuna e Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Mitrovicë – Nga maji deri qershor pritet të ekzekutohen pagesat për lehonat dhe personat e infektuar me COVID19

Komuna e Mitrovicës se Jugut në tetor të vitit 2020 kishte marrë vendim që çdo fëmije të lindur gjatë vitit 2020 në Mitrovicë, t’i dhuronte ndihmë financiare me vlerë prej 100 eurove.

Një vendim të tillë kjo komunë e kishte marrë edhe për të gjithë qytetarët të cilët ishin infektuar me COVID-19 deri në datën 09 dhjetor 2020.

Aplikimi kishte qenë i hapur nga data 02 deri me 09 dhjetor 2020.

Por as sot kur ka kaluar pothuajse muaji i katër i vitit 2021, vendimet e komunës nuk janë aplikuar. As lehonat e as qytetarët e prekur me COVID, për periudhën e caktuar, nuk kanë marrë pagesat-ndihmat e premtuara nga komuna e Mitrovicës.

Në mbledhjen e mbajtur me 26 mars të këtij viti, është shqyrtuar propozimi dhe është vendosur për bartjen e të hyrave vetanake në vlerë prej 719,087.01 euro nga viti 2020 për vitin 2021.

Kallxo.com ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë së Financave në komunën e Mitrovicës, Shukri Gashi i cili ka thënë se përmes vendimit i cili është marrë nga Kuvendi Komunal për bartjen e të hyrave vetanake nga viti i kaluar, do të mundësohet pagesa e lehonave dhe personave të infektuar me COVID-19 për periudhën e caktuar kohore.

“Vendimi është marrë me 26 mars në seancë…sot është bërë i plotfuqishëm ai vendim”, tha Gashi për Kallxo.com.

Më tutje sipas asaj që ka thënë Gashi në dy muajt e ardhshëm qytetarët të cilët kanë aplikuar për ndihmën e COVID dhe lehonat për fëmijët e lindur gjatë vitit 2020, mund të marrin paratë e premtuara.

“Unë kam dërguar në Ministrinë e Financave kërkesën për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2020 në vitin 2021, tash ata e shqyrtojnë nëse është gjithçka në rregull, ata e bëjnë alokimin e mjeteve domethënë, na i qesin paret dhe në maj eventualisht qershor, nëse është gjithçka në rregull i dërgojnë për pagesa edhe për COVID edhe për lehona”, tha drejtori Gashi.

Janë 1,114 qytetarë të prekur nga COVID-19 që kishin aplikuar për ndihmën financiare e cila komunës së Mitrovicës pritet ti kushtoj 55,700 euro.

Po ashtu komuna kishte hapur konkursin për aplikim, edhe për fëmijët e lindur gjatë 2020, ku kishin aplikuar 779 lehona.

Nga aplikimet, 775 prej tyre kishin plotësuar kriteret, që i bie që komunës t’i kushtoj me 77.500 euro.

Gjithashtu komuna e Mitrovicës në mars kishte bërë një njoftim përmes së cilit ka kërkuar nga qytetarët e prekur me COVID që të aplikojnë për ndihmën prej 50 eurove, pasi sipas njoftimit kishte filluar faza e dytë e aplikimit.