Mitrovicë e Jugut -FSK dhe KFOR dhuruan donacion 10 mijë euro pajisje mbrojtëse për COVID-19

Qendra Mjekësore e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe KFOR-i Gjerman, gjatë ditës së sotme kanë dorëzuar donacionin me pajisje mbrojtëse mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicën e Jugut.

Ky donacion përmbanë pajisje mbrojtëse mjekësore si maska të llojeve të ndryshme, doreza, rroba, mburoja për fytyrë, kapele kirurgjike, si dhe materiale tjera përcjellëse në vlerë prej 10 mijë euro, thuhet në njoftimin e komunës së Mitrovicës.

“Ky material do ta lehtësojë punën e stafit shëndetësor në QKMF, të cilët gjenden në vijën e parë të frontit për menaxhimin e këtij virusi “, ka thënë nënkryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut Faruk Mujka.

Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, e ka vlerësuar si shumë të dobishëm këtë donacion për kujdesin parësor shëndetësor, duke theksuar që Drejtoria e Shëndetësisë është e përkushtuar që së bashku me qytetarët të ruaj shëndetin publikë.

Të pranishëm me rastin e dorëzimit të këtij donacioni ishin edhe zëvendës komandanti i FSK-së gjeneral major, Enver Cikaqi,  si dhe Frank Best, gjeneral brigade njëkohësisht drejtor i NALT-it.