Takimi i Vlora Dumoshit me KD-në e TKK-së. Foto: MKRS

Ministrja Dumoshi takoi Këshilli Drejtues të Teatrit Kombëtar

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka takuar sot Këshillin e ri Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në përbërje të KD-së ri të TKK-së janë: Agron Shala, Besim Rexhaj, Ismet Azemi, Munish Hyseni, Mustafë Halili, Samka Ferri dhe Feim Maliqaj, si përfaqësues i MKRS-së.

Gjatë këtij takimi, sipas komunikatë së MKRS, është diskutuar për mbarëvajtjen e punës dhe realizimin e repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, i cili është ndër sfidat e TKK-së, duke pasur parasysh se shumë shfaqje premierë nuk kanë mundur të realizohen sipas planit të paraparë për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia.

Sipas komunikatës, ministrja Dumoshi e ka informuar KD-në e TKK-së se për shkak të hyrjes në fuqi të ligjit të ri për zyrtarë publikë, i cili parasheh edhe ndryshimin e procedurave të rekrutimit, janë krijuar vonesa në hapjen e konkursit për zgjedhjen e drejtorit dhe udhëheqësit artistik të teatrit.

“Bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme jemi duke punuar në hartimin e akteve nënligjore të cilat përcaktojnë kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes së zyrtarëve publikë, e në këtë rast edhe të pozitave drejtuese të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sapo të miratohen këto akte nënligjore, ne menjëherë do ta shpallim konkursin për drejtor dhe udhëheqës artistik të teatrit dhe në këtë proces drejtpërsëdrejti jeni të përfshirë ju si anëtarë të Këshillit Drejtues”, u ka thënë gjatë takimin ministrja Dumoshi.

Po sipas komunikatës, ministrja Dumoshi u ka kërkuar anëtarëve të KD-së bashkëpunim konkret dhe dinamik me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe performancës së institucionit të teatrit.

Sipas ligjit për teatot, Këshilli Drejtues i TKK-së në kuadër të kompetencave ka mbikëqyrjen punës së teatrit.

KD-ja aprovon politikat afatgjata të zhvillimit të teatrit dhe politikën artistike; me propozim të drejtorit të përgjithshëm, miraton planin vjetor buxhetor të teatrit; me propozim të udhëheqësit artistik dhe në përputhje me buxhetin vjetor miraton programin artistik vjetor të teatrit.

Po ashtu KD-ja shqyrton dhe miraton raportin vjetor financiar të teatrit; harton dhe propozon statutin, rregulloret dhe aktet tjera nënligjore të teatrit, të cilat i miraton Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në kompetencë të këshillit është edhe zgjedhja e drejtorit e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik, si dhe shkarkimin i tyre nga pozitat.