Lipjan – Gjykata shpalli dënimin ndaj vjehrrit të akuzuar për ngacmimin e resë

Gjykata e Lipjanit e ka dënuar me gjashtë muaj burgim Q. S., i cili nga akuzohej për veprën penale të ngacmimit.

Sipas akuzës, Q. S. akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se nga muaji tetor i vitit 2014 deri në fund të gushtit 2015 pas një mosmarrëveshjeje me axhën e të dëmtuarës – nuses së djalit të tij M. B., në mënyrë të vazhdueshme ka komunikuar me të dëmtuarën me qëllim ngacmimi, duke ofenduar, sharë, thirrur me emra ofendues dhe mënyra tjera të shqetësimit.

Aktakuza thotë se i akuzuari, të dëmtuarës i ishte drejtuar me fjalët “coftinë, kalbësirë, e marrune, etj.”, me ç‘rast tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë duke rënë ndesh me ligjin.

Prokuroria thotë se i pandehuri ka kryer veprën penale të ngacmimit.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot nga gjykatësi Selman Salihu, i pandehuri Q. S. është dënuar me gjashtë muaj burgim.

Këtë për Kallxo.com e ka konfirmuar, mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Bahtir Troshupa.

Ndërsa gjykatësi ka njoftuar se me pajtimin edhe të pandehurit, dënimi i shqiptuar do t`i zëvendësohet me dënim me gjobë në vlerë prej 2 mijë euro.