Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Kush është Tomislav Petroviq – Gjyqtar i emëruar në Departamentin Special në Apel

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në një takim të mbajtur të hënën ka caktuar tre gjyqtarë për Gjykatën e Apelit – Departamentin Special.

Tomislav Petroviq ishte gjyqtar në Gjykatën e Mitrovicës, departamenti për krime të rënda, ai ishte emëruar si gjyqtar në këtë gjykatë me 24 tetor të vitit 2017.

Ndërsa në mbledhjen e KGJK-së Petroviq është caktuar gjyqtar në Gjykatën e Apelit – Departamenti Special, së bashku me tanimë ish kryetaren e gjykatës së Prishtinës Afërdita Bytyçi dhe Bashkim Hyseni.

Para se të caktohej gjyqtar në Gjykatën e Apelit – Departamenti Special, sipas informatave nga zyra e personelit në Gjykatën e Mitrovicës, Petroviq prej muajit dhjetor ka kaluar në Divizionin e Gjykatës së Apelit në objektin në veri.

Po ashtu gjatë këtij muaj, në vend të tij në Departamentin për Krime të Rënda ka kaluar gjyqtari Velko Vuçetiq të cilit edhe i janë bartur të gjitha lëndët e gjyqtarit Petroviq.

I lindur në Leposaviq në qershor të vitit 1961, Petroviq shkollën fillore e ka kryer në këtë vend, ndërkaq të mesmen në Akademinë Policore në Vushtrri.

Në Fakultetin Juridik në Prishtinë kishte diplomuar në qershor të vitit 1985, kurse pesë vite me herët, përkatësisht në korrik të vitit 1980, Petroviq kishte krijuar marrëdhënie pune si polic.

Më pas ka punuar inspektor në Shërbimin e Punëve të Brendshme në Prishtinë, ku nga viti 1990 deri në vitin 1992 ishte në krye të këtij institucioni.

Për 25 vite me radhë Petroviq ka punuar si gjyqtar i Serbisë, deri në vitin 1999 në Prishtinë e më pas në Leposaviq. Përveç gjuhës serbe Petroviq flet edhe gjuhën shqipe dhe atë angleze.

Si gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda, Petroviq si kryetar i trupit gjykues ishte në rastin e vrasjes së veteranit të UÇK-së në Skenderaj – LINK

Po ashtu Petroviq ka gjykuar rastin e vrasje se Kujtim Mehollit në Vushtrri – LINK, rastin e vrasjes se Dejan Steliq në veri të Mitrovicës – LINK 

Gjithashtu si kryetar i trupit gjykues Petroviq ka qenë edhe në disa raste për veprat penale të korrupsionit në Gjykatën e Mitrovicës.

Rasti i Këshilltares së MAPL-së, rasti i Inspektori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe disa te tjerëve , rasti i ish shefes së prokurorit në Spitalin Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”.

Petroviq ka qenë anëtar i trupit gjykues edhe në shumë raste të tjera, të gjykuara nga gjyqtarët e Gjykatës së Mitrovicës.

Gjithashtu Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e mbajtur të hënë ka caktuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, gjyqtarët: Lutfi Shala, Mentor Bajraktari, Vesel Ismajli, Suzana Çerkini, Kujtim Krasniqi dhe Violeta Namani.

Pasi kryetarët e gjykatave Afërdita Bytyçi dhe Bashkim Hyseni tanimë janë caktuar në Departamentin Special, Këshilli ka caktuar gjyqtarin Arben Hoti, u.d. i kryetarit të Gjykatës së Prishtinës si dhe gjyqtarin Sahit Krasniqi, u.d. i kryetarit në Gjykatën e Ferizajt.

Për Gjykatën e Apelit janë caktuar gjyqtarët: Zyhdi Haziqi, Beqir Kalludra dhe Azra Cakolli.

Të gjithë këta gjyqtarë do të fillojnë punën më 1 janar 2021.