Kryetari i OAK, pas kërkesës për shkarkim: Nuk jam kryetar i pakicës, jam kryetar i shumicës

Nasuf Hasani, kryetari i Degës Regjionale të Avokatëve të Prishtinës i ka kërkuar kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës, që të largohet nga pjesëmarrja në Kryesinë e Punës së këtij Kuvendi.

“Është në kundërshtim me rregulloren që kryetari i Odës të jetë në përbërje të kryesisë, prandaj kërkojmë që ta shqyrtoni rregulloren. Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Punës të cilët u zgjidhet dhe delegatët ju votuan që ta udhëheqin mbledhjen, meqë është Kuvend ju kisha lutur që ta respektoni rregullativën asgjë më tepër. Kryetar Behar Ejupi t’u kisha lutur largohu nga kryesia”, tha Hasani.

Pas kërkesës së Hasanit, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës Behar Ejupi, tha se ndonëse ky kuvend është kuvend i rregullt dhe jo zgjedhor, në shenjë respekti për kolegët e tjerë avokat, ai është në gjendje që vendin në Kryesi të Punës t’ia lëshoj avokatit që ishte me vota të përafërta me të për ta zëvendësuar në Kryesi të Punës.

“Le të vjen kandidati që ishte me vota më së afërmi më herët, dhe këta le të votojnë. Dhe në fund ata që po propozojnë do të matemi me prova. Jam tip që flas ballë për ballë dhe do t’ju dal përballë çdo kujt qoftë në cepin e Dragashit e qoftë në cepin e Podujevës”, tha Ejupi.

Ai madje kërkoi nga kryetari i Nasuf Hasani që në rast se propozimi i tij për shkarkimin e kryetarit dhe nënkryetarit të OAK-së nuk kalon, atëherë ai t’u kërkoj falje avokatëve të Odës.

“Me lejen tuaj, jo me kërkesën e Nasufit, do të dal të ulem në vendin e kryetarit dhe nëse ju jepni një vlerësim se unë nuk duhet të jem kryetar, jemi në rregull dhe unë do të falënderoj çdo njërin, por në rast se kjo nuk kalon, kërkoj nga ta që t’u kërkojnë falje avokatëve, e jo mua. Nuk jam kryetar i pakicës, Oda është shtëpia jonë, jam kryetar i shumicës, për shtëpinë tonë, të gjitha kam me i dhanë, ashtu siç i kam dhënë edhe si 18 vjeçar”, deklaroi kryetari i OAK, Behar Ejupi.

Në ndërkohë Kuvendi miratoi pikat e rendit të ditës me përfshirje edhe të pikës së rendit të ditës së propozuar nga kryetarët e tri degëve regjionale të Mitrovicës, Prishtinës dhe Pejës, të cilët po kërkojnë shkarkimin e kryetarit dhe nënkryetarit të Odës së Avokatëve.

Kujtojmë se kryetari dhe nënkryetari i OAK-së u zgjodhën në Kuvendin Zgjedhor i cili u mbajt në mars të vitit të kaluar.

Oda e Avokatëve të Kosovës bëhet me kryetar të ri

Mbledhja është duke vazhduar me pikat e rendit të ditës.