Kryetari i OAK: 6 minuta pasi e pranova detyrën, Policia më erdhi në zyrë

Në Kuvendin e Rregullt të Odës së Avokatëve që është duke u mbajtur momentalisht, sipas pikave të rendit të ditës, kryetari i Odës Behar Ejupi, paraqiti shkurtimisht raportin për aktivitetet e Odës për vitin 2020.

Ejupi aktivitetet e Odës së Avokatëve të Kosovës për vitin 2020 i vlerësoi si të realizuara me shumë sukses përkundër vështirësive që u paraqiten si rezultat i shfaqjes së virusit COVID 19.

“Viti 2020 ka qenë viti më i vështirë më i rëndë më i keq për gjithë njerëzimin, por duke theksuar se për profesionin e avokatisë që ne si avokat kemi pasur shumë vështirësi në ushtrimin e profesionit për shkak të pandemisë, por është fakt i pakontestueshëm që kemi treguar respekt si avokat për institucionet dhe qytetarët, kur them për qytetarët e kam fjalën se asnjë seancë nuk është shtyrë në mungesë të avokatëve, për shkak të rrezikut nga virusi. Oda nuk është mbyllur për asnjë ditë pune, gjithmonë duke respektuar masat dhe duke qenë në gatishmëri”, tha Ejupi.

Përpos paraqitjes së rezultateve të punës dhe realizimit të tyre të suksesshme, Ejupi dha një njoftim për një ngjarje për të cilën tha se e ka shqetësuar jashtëzakonisht shumë dhe të cilën deshi ta ndajë me avokatët e Odës.

“Dua të ju jap një njoftim, me datën 9 mars kur kam shkuar në zyre rreth orës 10, ish kryetari ishte aty për të më dorëzuar detyrën, pa u bërë 6 minuta kanë ardhur policia në administratën e OAK-së, po e them publikisht zyrtarja e administratës ka qenë poshtë, ka qenë ish kryetari Osman Havolli, ish drejtori dhe punëtorë të tjerë, mos kanë ardhur rastësisht pas 6 minutash, asnjëherë në jetë nuk e kam luajtur rolin e viktimës, nuk mund ta poshtëroj askush kryetarin e odës, sepse e ka anëtarësinë më të madhe në sistemin e drejtësisë, besoj dhe shpresoj që se kanë humbur udhën që kanë ardhur aty. Këtë gjykojeni ju të nderuar avokat”, deklaroi kryetari i OAK Behar Ejupi.

Të gjitha këto angazhime për realizimin e aktiviteteve Ejupi tha se janë bërë për përmbushjen e misionit të OAK, dhe sipas tij një gjë e tillë është duke u arritur dhe OAK është në rrugë të drejtë që avokatia të kthehet në nivelin që e meriton.

“Ne kemi sfida para vetës e dimë që kemi hyrë në një rrugë që nuk ka kthim prapa, por angazhimi ynë i përbashkët do të jetë që avokatia të jetë në pozitën që e meriton”, deklaroi për fund Ejupi.

Lidhur me raportin e punës së aktiviteteve të OAK-së, kundërshtime pati përsëri kryetari i DR të Prishtinës, Nasuf Hasani i cili raportin e konsideroi si raport personal të Behar Ejupit dhe jo raport të aktiviteteve të punës së Odës së Avokatëve të Kosovës.

“Posa na i prezantua ky raport për vitin 2020, mirëpo që 1 vit e gjysmë si duket Behar Ejupi se ka lexu statutin e Odës, unë e pyes Behar Ejupin, i pyes të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues, a ka vendim të Këshillit Drejtues për këtë çështje, pra, kompetencat e kryetarit të Odës së Avokatëve përkufizohen me saktësi, ky hartim i raportit të Odës, është raport i Behar Ejupit dhe në asnjë moment nuk mund të konsiderohet se është raport i Odës së Avokatëve të Kosovës”, tha Hasani.

Mbledhja është duke vazhduar me pikat e tjera të rendit të ditës.