Kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq

Kryetari i Kllokotit lirohet nga paraburgimi

Gjykata e Apelit e ka ndryshuar vendimin e gjykatës themelore ndaj të pandehurit Bozhidar Dejanoviq, i cili ishte arrestuar nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Gjykata e Prishtinës pas kërkesës së prokurorisë të pandehurit Dejanoviq ia kishte caktuar masën e paraburgimit, mirëpo ndaj këtij vendimi kishte bërë ankesë mbrojtësi i tij.

Ankesa e mbrojtësit është aprovuar ndërsa aktvendimi i gjykatës së Prishtinës është ndryshuar.

Kurse të pandehurit i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe ndaj tij, është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të zgjas deri më 23.05.2021.

Bozhidar Dejanoviq që është kryetar i Komunës së Kllokotit, po dyshohet nga ana e Prokurorisë Speciale, se ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.

Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi të gjitha rrethanat, vlerësoi se edhe me caktimin e masës së arrestit shtëpiak mund të arrihet qëllimi i kërkuar me ligj.