Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Komuna e Mitrovicës sqaron pse punëtorët shëndetësorë nuk morën shtesat

Sindikata e shëndetësisë pranë QKMF-së në Mitrovicë ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimet që po ndërmerren nga organet përgjegjëse për mosrealizmin e shtesave në pagë për dy muajt e fundit.

Sipas kërkesës së Sindikatës, të siguruar nga KALLXO.com, mjekësia familjare, emergjenca, laboratoriumi, shërbimi stomatologjik, shërbimi RTG, barnatorja dhe imunizimi kanë të drejtë në shtesat në pagë.

Duke shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me mosprocedimin e shtesave në paga për dy muajt e fundit sipas vendimit të Qeverisë, Sindikata e QKMF-së në Mitrovicë ka paralajmëruar që nëse nuk ndërmerret ndonjë hap konkret deri më 4 shtator punëtorët janë zotuar që në ditët në vijim përkundër dëshirës janë të detyruar të bojkotojnë punën ngase konsiderojnë se u është bërë e padrejtë rreth realizimit të kësaj të drejte.

Andaj sipas kërkesë së dërguar Komunës, përkatësisht kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, Drejtorisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Erseka Hasanaj dhe drejtorit të QKMF-së në Mitrovicë, kërkojnë realizimin e shtesave për dy muajt e fundit.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshën e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj, lidhur me këtë çështje e cila ka sqaruar se listat të cilat janë dërguar më herët nuk kanë qenë në përputhje me kriteret për Pakon emergjente.

“ Unë sot kam pranuar një shkresë nga kryesia e Sindikatës së QKMF-së në Mitrovicë, listat janë përpiluar më herët, ka ardhë një listë mirëpo ajo listë nuk ka qenë konform vendimit të Qeverisë kështu që është kthy sepse ka qenë një shumë e papërballueshme, pastaj është kthy lista ka ardhë një listë e dytë ku as ajo nuk ka qenë në përputhje me kriteret e caktuar nga vendimi i Qeverisë. Ndërsa sot QKMF-ja në Mitrovicë e ka sjell një listë tjetër ku faktikisht kanë qenë të përzgjedhur direkt personat të cilët janë përcaktuar sipas vendimit të Qeverisë, ku janë plotësuar kriteret bazike për përfitimin nga Pakoja“, tha Hasanaj.

Po ashtu, Hasanaj ka thënë se tashmë lista është nënshkruar dhe e njëjta është dërguar në ekzekutim në Ministrinë e Financave.

“Kështu që ajo listë është nënshkruar dhe është dërguar në Ministrinë e Financave për ekzekutim, pasi që është filtruar edhe një herë dhe janë verifikuar gjithë emrat që kanë qenë në atë listë. Arsyeja e mosekzekutimit deri me tani ka qenë se listat paraprake nuk kanë qenë në përputhje me vendimin e Qeverisë për Pakon emergjente “, sqaroi Hasanaj.