Komuna e Mitrovicës së Jugut ka ndarë 15 mijë euro për klubin e zhytjes 'Trepça'

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka ndarë 15 mijë euro ndihmë për klubin e zhytjes “Trepça”, pas propozimit të kryetarit të komunës Agim Bahtiri që zhytësve të këtij klubi t`u jepej një ndihmë prej 5 mijë eurove.

Bahtiri ka thënë se ka pasur një takim më zhytësit të cilët i kishin kërkuar ndihmë për blerjen e një barke.

Klubi i Zhytjes “Trepça” ka ndihmuar disa familje në komunën e Mitrovicës gjatë vërshimeve pas daljes nga shtrati të lumit Sitnica, po ashtu kanë ndihmuar në pastrimin e liqenit akumulues. Gjatë shqyrtimit dhe diskutimit të kësaj pike, për aprovimin e ndihmës prej 5 mijë eurove për këtë klub, Gjergj Beka nga LDK ka propozuar që shuma të rritet në 15 mijë euro.

Një propozim i tillë është kundërshtuar nga Izet Tahiri i Vetëvendosjes, i cili ka thënë se janë duke u bërë propozime të tilla për lojëra politike.

Tahiri ka thënë se nuk e kundërshtojnë propozimin për aprovimin e ndihmës prej pesë mijë euro, por se nuk e pranojnë shumë prej 15 mijë eurove, pasi sipas tij edhe propozimi ishte për 5 mije euro dhe sikur klubi të kishte nevojë për këtë do ta bënte kërkesën.

“Duke marr për bazë që jemi duke bo lojëra politike idiote dhe po mundoheni me u bo ma papë se papa ne si LVV e lëshojmë sallën…”, tha Tahiri.

Pas kësaj, gjatë votimit për subvencionim prej 15 mijë euro, grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët ishin prezent kanë lëshuar sallën.

Por propozimi është aprovuar nga kuvendi komunal dhe këtij klubi i janë ndarë 15 mijë euro.

Kuvendi komunal po ashtu ka aprovuar kërkesën e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit në komunën e Mitrovicës për organizmin e një eventi siç kanë thënë tradicional në shkurt në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Ky propozim u fut në rend dite pas kërkesës së kësaj Ode bërë kryesuesit të kuvendit komunal, Safet Kamberi dhe kryetarit të komunës.

Kjo pikë e rendit u kundërshtua nga disa asamblistë, të cilët kanë kërkuar detaje për këtë event, ndërsa Shkurte Shosholli Musa nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e mbështet një event të tillë në kohë pandemie.

Por edhe kjo pikë e rendit të ditës, për organizmin e këtij eventi, në të cilin pritet të marrin pjesë rreth 200 persona është aprovuar nga asambleja e Mitrovicës së Jugut.