Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Komuna e Mitrovicës Jugore do të paguaj 55,700 euro për 1114 qytetarë të prekur nga COVID-19

Mbi 55 mijë euro pritet t`i kushtoj komunës së Mitrovicës ndihma financiare e aprovuar nga Kuvendi komunal, për personat e infektuar me COVID-19, deri në datën 09 dhjetor 2020

Kurse lidhur me ndihmën pas kësaj date pritet të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit komunal.

Pas vendimit të Kuvendit komunal të Mitrovicës, për përkrahje me ndihmën financiare nga 50 euro, për te prekurit me Covid-19, Drejtoria për Shëndetësi ka hapur aplikimin për qytetarët e kësaj komune.

Aplikimi ka qenë i hapur nga data 02 deri me 09 dhjetor 2020.

Drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj- Barani ka thënë për Kallxo se deri me tani për këtë ndihme kanë aplikuar 1211 qytetarë.

Të gjitha aplikacionet janë shqyrtuar, ndërsa nga 1211 aplikacione, 1114 janë përkrahur, duke u bazuar në kriteret e vendosura nga Kuvendi komunal.

Obligative për aplikuesit ka qenë të kenë qenë pozitv me Covid-19, në bazë të testit PCR, të evidentuar në listën nga IKSHPK.

Sipas Drejtorisë së Shëndetësisë 97 aplikacione nuk kanë qenë të evidentuara në listën e IKSHPK-së.

Ndërsa prej tyre 18, kanë qenë me teste serologjike, një ka qenë negativ në listën e IKSHPK-se, 1 me vendbanim në Prishtinë.

“77 të tjerë kemi hartuar një liste të veçantë, ku kemi kërkuar nga Instituti që t`i rishqyrtojnë dhe njëherë dhe të rishikojnë në qoftë se janë në listat e tyre zyrtare, por ende nuk kemi përgjigje”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë.

Të pyetur se deri kur do të vazhdoj mbështetja e të infektuarve me COVID-19 nga Komuna e Mitrovicës, drejtoresha Barani ka thënë se meqë ky vendim është aprovuar nga Kuvendi komunal, atëherë, në mbledhjen e ardhshme do e definojnë se deri kur do të vazhdoj përkrahja financiare për të prekurit me COVID-19.

Deri me tani, ende nuk është bërë ekzekutimi i pagesave për personat të cilët kanë aplikuar për përftimin e kësaj ndihme, por nga komuna – Drejtoria e Shëndetësisë kanë thënë për Kallxo se ekzekutimit i pagesave pritet të bëhet në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021.

“Për shkak se ka qenë periudha e fundvitit dhe ka qenë shumë shkurt me i përfundu të gjitha procedurat, ekzekutimi i pagesave për rastet me COVID-19, do të kryhet në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021, derisa muaji nuk dihet sepse varet krejt nga aprovimi i buxhetit dhe alokimi i mjeteve në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. Kjo varet shumë me aprovimin e buxhetit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës “, kanë thënë nga komuna e Mitrovicës.

Numri total i të infektuarve në Mitrovicë është 2341.

Kurse përveç komunës së Mitrovicës edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka dhënë propozimin që çdo qytetari të infektuar me COVID-19 nga kjo komunë t`i jepet ndihma prej 50 euro.

Ndërsa komuna e Obiliqit ka ofruar ndihme prej 300 euro për familjet e të vdekurve nga COVID-19.