Katër persona dërgohen në polici për shkak të grafiteve feministe
Policia në Mitrovicë ka intervistuar katër persona si të dyshuara për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Kjo ka ndodhur pasi në qytetin e Mitrovicës të dielën e 25 prillit, në pjesë të ndryshme të qytetit ishin shkruar grafite feministe.
Sipas një njoftimi të Organizatës Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist përmes këtyre mbishkrimeve kanë kundërshtuar kontrollin e burrave mbi gratë, dhunimin e tyre në shtëpi, rrugë e institucione, ngacmimin seksual në shkolla dhe robërimin e tyre nga burrat.
“Hapësirat publike në qytetin e Mitrovicës u ngjyrosën me revoltë dhe refuzim të çfarëdo shtypjeje ndaj secilës grua dhe vajzë”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Mirëpo lidhur me këtë rast janë shoqëruar në polici katër persona.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për Kallxo.com se lidhur me këtë rast janë shoqëruar katër persona në stacion dhe ndaj tyre u iniciuar rast për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
“Rasti ka ndodhur me datën 25 prill në Mitrovicë, ku në cilësi të të dyshuarave janë intervistuar katër persona dhe është iniciuar një rast Prishje e Rendit dhe Qetësisë Publike, pasi në disa lokacione kanë shkruar grafite“, tha Zahiti për Kallxo.com.
Disa nga thirrjet nëpër grafite ishin “Gratë e kanë vendin kudo që dojnë ato”, “Dhunuesit e grave n’burg”, “Gruaja nuk është rob i burrit”, e të tjera.