Ish-drejtori i Drenasit del në gjyq për banesat e komunës të lëshuara me qira

Sot në gjykatën e Prishtinës ka filluar gjykimi ndaj Idriz Hysenaj i cili po akuzohet si se si person zyrtar fillimisht si asamblist i Kuvendit Komunal të Drenasit u kishte dhënë me qira banesa personave të caktuar me qëllim që t’i sjellë dobi kompanisë së tij “Kulla Com”.

Në kohën kur ishte arrestuar para një viti, Hysenaj ka qenë drejtor i Infrastrukturës në komunën e Drenasit.

Hysenaj nga prokuroria e Prishtinës akuzohet se midis periudhës kohore nga viti 2014 deri me datë 15 tetor 2019 në vazhdimësi si person zyrtar dhe duke shfrytëzuar detyrën e tij i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Akuza thotë se në cilësinë e personit zyrtar – fillimisht asamblist i KK Drenas në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe biznesin e tij ua ka dhënë me qira në shuma të ndryshme, gjashtë banesa në kate të ndryshme, e të cilat ishin pronë e komunës se Drenasit personave të caktuar: N.K., B.O., D.H., L.B., J.R., M.S., kurse në disa raste u ka dhënë në shfrytëzim banesat të cilat kanë qenë pronë e Komunës se Drenasit.

Këta persona sipas akuzës ishin persona të prej të cilëve i pandehuri kishte marrë toka për ndërtimin të banesave, apo prej qytetarëve që kishin blerë banesë nga ana e firmës se tij “Kulla Com” deri në përfundim të banesave.

Në këtë mënyrë K.K. Gllogoc i kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale ndërsa vetës dhe kompanisë së tij i kishte sjell dobi të kundërligjshme pasurore.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Gjykimi ndaj Hysenajt ka filluar sot në gjykatë e Prishtinës.

Kurse pas leximit të akuzës nga prokurori Arian Gashi, i pandehuri u deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë.

Andaj gjykatësi Lutfi Shala ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij avokatin Tahir Rrecaj se në afat prej 30 ditëve mund të paraqesin kundërshtimet në lidhje me aktakuzën.

Hysenaj ishte arrestuar në tetor te viti 2019, ndërsa prokuroria e Prishtinës atë kohë kishte kërkuar që t’i caktohej masa e paraburgimit.

Hysenaj në kohën e arrestimit kishte qenë drejtor i Infrastrukturës në komunën e Drenasit.

Arrestimi i drejtorit të Komunës së drejtuar nga kryetari Ramiz Lladrovci ishte bërë pak ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore, gjatë të cilës PDK, me kryetarin e saj dhe kandidatit për kryeministër, Kadri Veseli, e kishte shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Kurse, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pati reaguar pas arrestimit të drejtorit të Infrastrukturës, Idriz Hysenaj, duke thënë se pas pranimit të informacionit zyrtar për dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do te marrë vendim pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e tij.

“Pas pranimit të shqetësimeve për shfrytëzim të pa autorizuar të pronave komunale, rrjedhimisht të banesave pronë të komunës, për të hequr dyshimet, kam iniciuar rastin pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë. Ky inicim i rastit që kam adresuar është në mesin e shumë rasteve të tjera, pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e kurrkujt ”, kishte shkruar Lladrovci.

Në vitin 2019 KALLXO.com, muaj para arrestimit të tani të pandehurit Hysenaj kishte raportuar se si familjes së Minire Saliuku nga Drenasi i ishte kërkuar që brenda 7 ditëve duhet t’u gjejë vend tjetër banimi në njërën nga banesat e lartë përmendura.

Minire Saliuku kishte marrë një njoftim nga komuna e Drenasit që për një javë ta lirojë banesën të cilën është duke e shfrytëzuar tash e pesë vjet.