Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

I akuzuari për sulm pranoi fajësinë para gjykatës

Në Gjykatën e Mitrovicës është mbajt seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të pandehurit Leotrim Behrami.

I lartcekuri akuzohet nga Prokuroria në Mitrovicë se në gusht të këtij viti në fshatin Shupkovc në afërsi të HIB Petrol, i pandehuri me një mjet të rrezikshëm ka sulmuar të dëmtuarin Sh.P.

Sipas prokurorisë ngjarja kishte filluar pas një fjalosje të HIB Petrol. Ku i pandehuri Behrami fillimisht kishte qenë duke qëndruar aty, ndërsa pas fillimit të fjalosjes me të dëmtuarin kishte ndërhyre edhe dëshmitari E. S., duke u munduar që t`i ndaj.

Por i pandehuri Behrami kishte nxjerr një thikë buke nga brezi dhe ishte vërsulur në drejtim të dëmtuarit i cili kishte filluar të ike nga i pandehuri, kurse ky i fundit kishte qenë duke e ndjekur rrugës që ta godas, mirëpo zyrtarët policorë që ishin në detyrë e vërejtën të pandehurin, e ndalojnë, ndërsa thikën që kishte pasur në dorë e kishte hedhur paraprakisht.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale të sulmit.

Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën e Mitrovicës, i pandehuri Behrami, pas leximit të akuzës, ka pranuar fajësinë për këtë vepër duke shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur.

Kurse mbrojtësi i të pandehurit, avokati Mirsad Peci ka kërkuar nga gjykata që të aprovohet pranimi i fajësisë për të mbrojturin e tij dhe me rastin e matjes dhe lartësisë së dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese.

“Konsideroj se janë plotësuar kushtet ligjore për pranimin e fajësisë, ky pranim i fajësisë vjen pas konsultimit të mjaftueshëm me palën, kërkoj nga gjykata që këtë pranim fajësisë ta vlerësoj si rrethanë posaçërisht lehtësuese duke vlerësuar pendimin e te akuzuarit,  po ashtu kërkoj nga gjykata që masën e paraburgimit ta ndërprerje pasi qe nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e te mbrojturit tim ne paraburgim”, tha Peci.

Më pas gjyqtarja e rastit Lidja Vuçoroviq ka aprovuar pranimi e fajësisë dhe ka njoftuar palët se për vendimin palët do të njoftohen më shkrim.