I akuzuari mungon, shtyhet seanca ndaj zyrtarit të komunës së Skenderajt

Në Gjykatën e Mitrovicës të premten ishte paraparë të mbahej seanca e gjyqësore ndaj të pandehurit Kujtim Bekaj

Bekaj akuzohet  se si zyrtar në gjendjen civile në Skenderaj, i kishte ndërruar vendbanimin të dëmtuarit J.S pa dijeninë e tij.

Seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak se i pandehuri nuk ka qenë prezent në gjykatë.

Gjyqtari i rastit Bekim Veliqi ka njoftuar se i akuzuari Bekaj, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Sylejman Klinaku, me parashtresë kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë prezent në seancë për shkaqe shëndetësore.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, seanca e radhës është caktuar më 21 dhjetor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Mitrovicë, Bekaj në cilësinë e nëpunësit civil në Komunën e Skenderajt, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që të përfitojë dobi për personin tjetër dhe atë, F. S nënshtetase e Gjermanisë, dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarit, J.S.

I pandehuri Bekaj ka bërë ndërrimin e vendbanimit të të dëmtuarit J.S, nga fshati Bllacë i Komunës së Suharekës pa kërkesën dhe dijeninë e tij dhe në kundërshtim me Ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin, thuhet në akuzën e prokurosië.

I dëmtuari ishte regjistruar me adresën e vendbanimit në Skenderaj, me ç’rast thuhet se ka lëshuar certifikatën e vendbanimit më 19 janar 2017, ndërsa nga ky veprim ka rezultuar me zgjidhje të martesës në mes të të dëmtuarit dhe bashkëshortes së tij, F.S.

Pas kësaj sipas akuzës F.S, pranë Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, ka pranuar aktgjykimin për zgjidhje të martesës dhe e ka dorëzuar në organin kompetent në Gjermani duke bërë që të dëmtuarit J.S, t’i prishet leja e qëndrimit në Gjermani ku më pas ai sipas aktakuzës është kthyer në Kosovë.

Me këtë Kujtim Bekaj, nga Prokuroria po akuzohet për kryerjen e veprës penale “ keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ”.