Haskuka tregon kur fillojnë punimet në Shatërvan për vendosjen e kabllove nën tokë

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet komunale, Mytaher Haskuka, tashmë kryetar i Prizrenit, kishte premtuar se kabllot elektrike në Shatërvan do të vendosen nën tokë.

I ftuar në serinë e debateve “Jeta në Komunë” Haskuka ka thënë se të mërkurën është dita kur fillojnë punimet në Shatërvan dhe nëpër zonën e qendrës historike të Prizrenit që të gjitha kabllot do të shkojnë nën tokë.

Ky projekt sipas Haskukës do të ketë vlerën 500 mijë euro, mirëpo nuk ka njoftuar për kohëzgjatjen e këtij projekti.

Në këtë debat Haskuka është përballur me premtimet e tij të dhëna para se të votohej për kryetar Komune, kurse i njëjti ka dhënë llogari për premtimet e mbajtura dhe ato të pambajtura.

Të ftuar në studio janë janë: Sherife Balaj- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Haziz Hodaj – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Mimoza Bushrani – Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Baldedaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Valon Xhabali- EC MA NDRYSHE, ndërsa në  ZOOM janë  Esen Kajmakçi – Përfaqësuese e grave në shoqatën e bizneseve ESNAF dhe Dafina Alishani, Lëvizja Vetëvendosje.