Gjyqtari tregon kur mund të caktohet seanca për rigjykimin e Gani Gecit

Seanca e rigjykimi ndaj Gani Gecit, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit nuk është caktuar ende

Kjo lëndë i është caktuar për gjykim gjyqtarit Radoslav Markoviq, por nuk është mbajtur ende asnjë seancë e gjykimit për këtë rast që nga viti 2018, kur edhe është pranuar në Gjykatën e Mitrovicës.

Gjyqtari i rastit për KALLXO.com ka thënë se për shkak të volumit të lëndës e cila është kthyer në rigjykim nuk ka pasur mundësi ta caktojë.

Sipas Markoviq situata e krijuar me pandeminë COVID-19 dhe gjendja shëndetësore e tij e ka pamundësuar mbajtjen e seancën në dhjetor të vitit 2020.

Ndërsa tani Markoviq ka shtuar se i ka me prioritet lëndët me paraburgim, kurse rastin e Gecit pritet ta caktojë pas datës 15 mars.

“ Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, rasti është madhor dhe pritet që pas datës 15 mars e andej me e caktu. Tani prioritet i kam katër lëndë me paraburgim, ndërsa pas përfundimit të tyre do ta caktoj edhe rastin e Gecit “, tha Markoviq.

Lënda kundër Gani Gecit, është pranuar në Gjykatën e Mitrovicës që nga viti 2018.

Përkthimi i lëndës ishte arsye e mos caktimit të saj për gjykim në dhjetor të vitit 2019.

Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit më 4 gusht të vitit 2014 në kafiterinë “N’ Qosh”, në Skenderaj.

Ndërsa me 3 qershor të vitit 2016 nga gjykata e shkallës së parë, Geci për këtë vrasje ishte dënuar me 4 vjet e gjashtë muaj burg.

Kurse në shtator të vitit 2017 kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim, ndërsa është pranuar në Gjykatën e Mitrovicës tash e disa vite.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me avokatin e Gecit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka qenë i qasshëm në telefon.