Foto: Kallxo.com

Gjykimi për krime lufte në Ferizaj: Dëshmitari identifikon të akuzuarin, thotë se ai ishte në oborr kur u përzunë nga shtëpitë

Në gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve Zlatan Krstiq dhe Destan Shabanaj për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt.

Gjatë seancës së mbajtur sot në gjykatën e Prishtinës janë dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve të dëmtuarit A.N. dhe F.N.

Dëshmitari A.N. duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Valdet Gashi ka treguar ngjarjen që kishte ndodhur më 26 mars 1999 në shtëpinë e gjyshit të tij O.N.

Ai tha se atë natë kishin filluar gjuajtjet në drejtim të shtëpisë së tij, thyerje të dyerve të oborrit, sharje e britma në mënyrën më çnjerëzore.

“Ata kanë ardhur deri në dritare të sallonit ku të gjithë ishim duke qëndruar, me kondak të armës e kanë thyer dritaren dhe kanë bërtitë që ne të gjithë me dalë jashtë”, tha dëshmitari.

Ai me tutje ka treguar se pasi që kishin dalë në oborr ishin detyruar që të rreshtoheshin.

“Te bunari në oborr e kam pa Zlatan Krstiq dhe Bora Krstiq dhe komandantin e stacionit të policisë që e kemi njoftë si Zoriq. Aty na kanë rreshtuar të gjithëve, ka pasë gjuajtje para neve. Po më kujtohet mirë Zlatan Krstiq e ka pasë automatikun në dorë dhe e ka mbajtë me tytë përpjetë dhe non-stop vetëm qeshte”, tha dëshmitari.

Dëshmitari ka shpjeguar se më pas gratë dhe fëmijët e familjes ishin detyruar të largoheshin nga oborri i shtëpisë, ndërsa disa anëtarë të familjes ishin ndaluar në oborrin e shtëpisë.

“Fëmijët dhe gratë kanë thënë me u largu, babagjyshin O.N, axhën B.N. dhe dy djemtë e axhës B.N. dhe A.N. i kanë ndalu. Jemi nisë në drejtim të fshatit Dremjan, prapa ka ardhë gjyshi dhe ka kërku me ditë se ku po na çojnë, por atë e kanë ndalë, na kemi vazhdu rrugën, rrugës ka pasë shumë paramilitarë kur jemi afruar te shtëpia ime edhe ajo ka qenë duke u djegur”, shtoi dëshmitari.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari po ashtu ka treguar se atyre u ishte djegur shtëpia, ushqimi i bagëtive, kurse për familjarët të cilët ishin ndaluar natën e 26 marsit 1999, në oborrin e gjyshit të tij, pas përfundimit të lutës kishin kuptuar që ishin vrarë, e më pas të njëjtit i kishin zhvarrosur nga një varrezë në qytetin e Ferizajt.

“Pas përfundimit të luftës, babai A.N. ka filluar kërkimin nëpër fshatra për t’i kërkuar trupat dhe ma pas kishte marrë informata se ne një varrezë në Ferizaj, është një varrezë me disa persona dhe atë ditë kur është bërë rivarrimi e kemi kuptuar që janë familjarët tonë ”, tha ai.

Kurse duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Gashi lidhur me atë se a kishin parë shenja dhunë në trupat e familjarëve, ai u përgjigj se me rastin e zhvarrimit kishin parë se gjyshi kishte pasur shenja dhune në organe gjenitale dhe në bark.

Pyetje për dëshmitarin ka pasur edhe i akuzuari Zlatan Krstiq.

“Meqenëse nuk ka pasur rrymë në atë kohë, si ke mujt me më pa në largësi prej 10 metra”, pyeti i akuzuari.

Më pas dëshmitari ka sqaruar se aty kanë qenë “pizgauerat” – xhipat dhe i gjithë oborri ka qenë në flakë, andaj edhe pamja sipas tij ka qenë e qartë.

Edhe F.N. i cili në kohë kur ka ndodhur ngjarja kishte qenë vetëm 13 vjeç, ka rrëfyer atë çka i kujtohet nga ngjaja e 26 marsit 1999, duke shtuar se mbante në mend çdo gjë.

“Më 26 mars jemi kanë gjallë me B., A., B., ku jemi strehu nga frika që kërcitshin armët te shpija e axhit O.N., nga ora 8 e mbrëmjes kur na jena kanë tu nejt në sallon shpija ka qenë tu u kall lart, bashkë me ushqimin e kafshëve ” tha dëshmitari .

Ai tha se atë natë pasi dhunshëm hyn në shtëpi, trupat paramilitare serbe i kishin nxjerr jashtë në oborrin e shtëpisë së tyre duke i sharë, bërtitur dhe duke gjuajtur me armë në drejtim të shtëpisë

I pyetur nga prokurori se a e kishte njohur dikën, dëshmitari ka thënë se e ka njohur tani të akuzuarin Zlatan Krstiq

Ai tha se në grupin e policëve serb ka qenë edhe Zlatan Krstiq së bashku me udhëheqësit e tij.

Më pas dëshmitari F.N. tregoi se si ishin detyruar të largohen nga oborri në drejtim të malit, e më pas kishin shkuar në fshatin Dremjan, kurse rreth 10 apo 15 metra me larg se shtëpia e tyre me vonë kishin dëgjuar të shtëna armësh.

Gjykimi në këtë rast ka filluar në janar të këtij viti, ku në seancën fillestare dy të pandehurit kishin mohuar fajësinë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Zlatan Krstiq, më 26 mars 1999, rreth orës 22:00, në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna Ferizaj, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serb, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije e qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin e popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes N. që nuk kanë marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur.

Gjithnjë sipas akuzues, i pandehuri gjatë këtij aksioni në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, fillimisht me mjete motorike ushtarake dhe policore, ka hyrë në oborrin e shtëpisë së O. N,.

Më pas nën krisma të armëve dhe britmave në gjuhën serbe, rrëmbyeshëm dhe me forcë kanë hyrë brenda në shtëpi, ku ishin të strehuar 19 anëtarët e kësaj familje, në mesin e tyre fëmijë, gra e burra.

Pastaj, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë të cilët u përkisnin forcave policore, ushtarake dhe paramilitare, ka marrë pjesë në cenimin e rëndë të personalitetit dhe dinjitetit të pjesëtarëve të kësaj familje, ngase me forcë nën kërcënimin e armëve, duke ndjellë frikë për jetën e tyre, i kanë nxjerrë dhunshëm nga shtëpia dhe duke i trajtuar në mënyrë jo humane i kanë rreshtuar në oborr para shtëpisë duke i mbajtur nën frikë dhe presion për një kohë të gjatë.

Tutje, në akuzë thuhet se derisa personat civil të familjes N., ishin të rreshtuar në oborr, në prezencën e tyre, i pandehuri në bashkëveprim me kryerës të tjerë, ka marrë pjesë në shkatërrimin e paligjshëm dhe qëllimshëm të pasurisë së kësaj familje, djegien e shtëpive, kafshëve, ushqimin e kafshëve dhe gjithë pasurinë që gjendej në oborr, pasuri kjo që nuk justifikohej me nevoja ushtarake.

I pandehuri në të njëjtën kohë kishte marrë pjesë edhe në dëbimin e 15 anëtarëve të kësaj familje, të cilët paraprakisht ishin të rreshtuar në oborr.

Po ashtu në akuzë thuhet se i pandehuri ka marrë pjesë në marrjen peng të katër personave të kësaj familje, i cili duke vepruar në bashkëveprim me kryerës tjerë, fillimisht i ka ndarë nga pjesëtarë tjerë të familjes, personat O. N, B. N., A. N. dhe B. N., tani të ndjerë.

Pas marrjes të tyre, thuhet se thelbësisht ka kontribuar në trajtimin mizor të tyre, duke i maltretuar, torturuar, gjymtuar dhe përfundimisht vrarë me armë zjarri, kufomat e të cilëve me qëllim të fshehjes së krimit i kanë hedhur për skaj rrugës magjistrale Prishtinë – Ferizaj, konkretisht në fshatin Babush.

Për këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”,  “ Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës.

Kurse, i pandehuri tjetër Destan Shabanaj, sipas aktakuzës, më 1 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qëllim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pajetë, viktimave O. N., B. N., A. N. dhe I. R., ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Sipas akuzës, në një njëjtën ditë, sipas urdhrit të të pandehurit dhe pjesëtarëve tjerë policorë, trupat e pajetë të viktimave të cekura si më larë, përmes personave H. K., I. A. dhe një personi tjetër i quajtur “R.”, me kamionin e tipit “FAP”, me ngjyrë të verdhë janë tërhequr nga Morgu i Prishtinës, ende pa u bërë autopsia dhe janë dërguar në afërsi të varrezave të qytetit të Ferizajt të quajtura “ varrezat myslimane ”, ku aty ishte duke i pritur i akuzuari Destan Shabanaj.

Ky i fundit menjëherë posa kishin arritur trupat e pajetë, kishte urdhëruar personin e quajtur “ M.”, që me ekskavator të fillojë hapjen e një grope me qëllim të hedhjes së këtyre.

Akuza thotë se pas hapjes së gropës me përmasa përafërsisht 2 deri në 3 metra e gjerë dhe 70 deri në 80 cm të thellë, i pandehuri Destan Shabanaj, ka urdhëruar që trupat e të vrarëve fillimisht t’i zbresin nga kamioni, e pastaj pa u respektuar traditat dhe ritet fetare janë hedhur në mënyrë të parregullt të gjithë në të njëjtën gropë masive.

Në përfundim sipas akuzës i pandehuri në kundërshtim me doket, zakonet dhe rregullat fetare të të vrarëve ka urdhëruar që përmes ekskavatorit trupat e pajetë të hedhur në gropë masive të mbulohen me dhe, duke mos mbajtur asnjë shënim për identitetin e të varrosurve dhe duke mos lënë asnjë shenjë identifikuese se aty ka varrezë.