Gjykimi i policëve për keqpërdorim të detyrës pas përfshirjes në një konflikt mes qytetarëve

Gjykimi ndaj zyrtarëve policor Nebojsha Vukojeviq dhe Sreqko Janiçijeviq, i pari nga Zveçani, kurse tjetri nga Leposaviqi për keqpërdorim të detyrës zyrtare për pjesëmarrje në një konflikt mes disa qytetarëve për një borxh ka vazhduar sot në Gjykatën e Mitrovicës.

Gjatë seancës se mbajtur në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar Tomisllav Gjoroviq, e të cilin e kishte propozuar për t`u dëgjuar avokati Miodrag Bërklaq.

Gjoroviq është dhëndri i Dejan Veljkoviqit, me të cilin siç ka deklaruar kishte shkuar në fshatin Leshak në një pompë të benzinës, ku sipas akuzës kishte ndodhur ngjarja.

Dëshmitari ka treguar se në pompën e benzinës kishte shkuar pasi e kishte thirrur siç ka thënë ai miku i tij Dejani.

“Me ka thirrur miku që të vij tek ai në shtëpi, kur kam ardh në shtëpi ai me ka thënë që të shkojmë deri tek pompa e benzinës, që të shihet me një person i cili i ka borxh para për drunj “, tha dëshmitari.

Më tutje duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Bërklaq, dëshmitari ka treguar se kur kishin shkuar të takoheshim me personin për borxh, kishte filluar një fjalosje ndërmjet mikut të tij Dejanit dhe personit që në këtë rast është i dëmtuari.

“Ka dal nga kamioni dhe i ka thënë si t`i kthej paratë kur mi kanë marr drunjtë nga policia. Pastaj miku im – Dejani ka thënë mua nuk po më intereson që ty t`i kanë marr policia drunjtë, unë dëshiroj që t`i marr paratë e mia, pastaj kanë filluar një fjalosje, unë ty po të pres që dy vite të mi japësh, për mua ka qenë pak e pakëndshme, pasi që kanë filluar ta ngritnin zërin, kanë qenë edhe dy persona në kabinë, miku e ka marr telefonin dhe i ka thënë do ta thërras policinë, pastaj pas tre katër minutash ka ardhur policia”, tha dëshmitari.

Tutje ai ka shtuar se policët të cilin kishin shkuar, ishin tani dy të akuzuarit Janiçijeviq dhe Vukojeviq.

Gjithashtu dëshmitari ka shtuar se nga policët ishin urdhëruar që të largoheshin matanë rrugës, prej nga nuk kishte arritur që të dëgjonte se çfarë po flisnin, ndërsa Dejani kishte mbetur afër kamionit bashkë me policët.

Kurse duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Bërklaq se a kishte pasur kontakt fizik ndërmjet të dëmtuarit dhe policëve ose edhe a ishte nxjerrë me dhunë vozitësi i kamionit nga kamioni, dëshmitari ka thëne së së nuk ka pas as kontakt fizik as kjo e fundit nuk ka ndodhur.

Kurse prokurorja Fetije Bajrami Shala e ka pyetur dëshmitarin se a e kishte dëgjuar Dejanin duke i thënë të dëmtuarit se do të ia thërriste policinë një të afërm dhe se nuk do të mund të largohej pa ia dhënë paratë. Lidhur me këtë dëshmitari ka thënë se “Dejani kur e ka ndërprerë lidhjen i ka thënë prit këtu se tani do të vjen patrulla. Jo nuk i ka thënë vetëm i ka thënë që të pres”, shtoi dëshmitari.

Seanca ka përfunduar pas dëgjimit të dëshmitarit Gjoroviq, kurse kanë munguar dëshmitaret Jugosllav Andriq, Radisha Llazoviq, Sllobodan Pandriq dhe Milleta Qolloviq.

Lidhur me dëshmitarët Pandriq dhe Llazoviq kryetari i trupit gjykues Bekim Veliqi, ka ritheksuar se për secilën seancë të shqyrtimit janë ftuar me ftesa të rregullta, por asnjëherë fletë-kthesat nuk na janë kthyer që të njëjtit të i kenë pranuar, për faktin se vendbanimet sipas akuzës është në Kralev – Serbi.

Më pas gjyqtari Veliqi e ka ndërprerë seancën e sotme, kurse seanca e radhës është caktuar për në muajin prill.

Sipas akuzës të akuzuarit Vukojeviq dhe Janiçijeviq, të dy zyrtarë policorë u bënë pjesë e një konflikti mes disa qytetarëve për një borxh. Në akuzë thuhet se Janiçijeviq dhe Vukojeviq e kishin detyruar të dëmtuarin Jugoslav Andriq, që t’ia jap Dejan Veljkoviqit 360 euro.

E gjithë ngjarja sipas Prokurorisë kishte ndodhur në korrik të vitit 2016 kur Andriq kishte shkuar në fshatin Drenov për të blerë dru nga personi Vladan, ndërsa aty kishte shkuar edhe Dejan Veljkoviq.

Veljkoviq po kërkonte nga Andriq para në shumën prej 400 euro për drunjtë të cilat ia kishte shitur para një viti, ndërsa Andriq ishte përgjigjur se drunjtë atëherë ia kishin konfiskuar policia pasi që nuk kanë qenë të vulosura.

Prokuroria thotë se atëherë Veljkoviq filloi ta kërcënojë të dëmtuarin se do ta thërras një person që do ta djegë kamionin e tij nëse nuk i jep paratë, ose do ta thërrasë vëllain e tij polic për t’ia marrë paratë.

Më pastaj Dejani kishte thirrur në telefon policinë të cilët kishin arritur pas 10 – 15 minutave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, njëri polic tani i akuzuari, Nebojsha Vukojeviq e kap për dore të dëmtuarin Andriq, i cili ishte në kamion. Vukojeviqit i ka ndihmuar edhe polici, tani i akuzuari, Sreqko Janiçijeviq të cilët e kishin tërhequr të dëmtuarin Andriq 5 deri 6 metra duke e afruar deri te automjeti i policisë.

Kurse duke e kërcënuar se do ta dërgonin në Gjykatë në Vushtrri, apo nuk do ta lëshonin nga vendi ku ishte, e detyrojnë Andriq që t’ia jap paratë Dejanit.

E gjitha kjo sipas akuzës ishte parë nga dy dëshmitarët Radisha Llazoviq dhe Sllobodan Pandriq të cilët kishin qenë në kamion dhe po e vështronin ngjarjen.

Prokuroria thekson se i dëmtuari Andriq nën presionin e policëve kishte nxjerrë nga xhepi paratë në shumë prej 360 euro dhe në prezencë të tyre ia jep paratë dëshmitarit Dejan, ndërsa ky i fundit iu thotë policisë “lironi tani Jugosllavin”.

Më këtë prokuroria i ngarkon policët me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.