Gjenden mbetje mortore nga lufta e fundit në varrezat e Mitrovicës së Veriut

Në varrezat  e myslimaneve në  Mitrovicën e Veriut sot kanë vazhduar gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës.

Gjatë punës epiket punuese kanë arritur që të zhvarrosin mbetje mortore të cilat dyshohet të jenë të një viktime të luftës së vitit 1999.

Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur  në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka deklaruar se janë duke zhvarrosur mbetje mortore të një viktime të luftës.

“ Për momentin janë duke u zhvarrosur mbetjet mortore të një viktime të luftës dhe pastaj sigurisht gjithmonë po flas me minimumin meqë pastaj do të vazhdohet me procedurë të mëtutjeshme në kuptimin e ekzaminimit mjeko ligjor dhe varësisht prej ekzaminimeve, përfshirë edhe identifikimin përmes analizave të ADN-së, mund te konfirmohet numri i të zhvarrosurve dhe identiteti i tyre “, tha Gara.

Gara ka bërë thirrje edhe të gjithë qytetarëve që hasin në eshtra, rroba apo në mbetje mortore të viktimave të luftës të njoftojnë institucionet e Kosovës, sepse siç ka thënë ai nga përvoja e deritashme gjatë gërmimeve në këtë lokacion ka treguar se për shkak të ndërhyrjes së qytetarëve të cilët kanë bërë lëvizjet e eshtrave, institucionet kanë dështuar në gjetjen e mbetjeve mortore.

Kurse nga Bashkësia Ndërkombëtare ka kërkuar tu bëjë trysni palës serbe për bashkëpunim në këtë proces.

“ Ne vazhdojmë edhe me thirrjen edhe për Bashkësinë Ndërkombëtare, që të shtoj trysninë tek pala serbe që të jetë më bashkëpunuese në këtë proces dhe edhe informatat tjera që mund të na ndihmojnë t’i ndajnë  “, tha Gara. “

Kurse Bajram Qerkini, kryetar i shoqatës “ Zëri i prindërve ” në Mitrovicë“ ka thënë se në këto varreza janë 22 shenja të viktimave ndërsa prej tyre janë gjetur vetëm tre.

“ Në këto varreza prej 2013,e kemi një dokument që është shënuar nga grupi punues i Beogradit dhe Republikës së Kosovës, 22 shenja dhe prej atëherë janë gjetur vetëm 3 “, tha Qekini.