Ardian Gjini. Foto: Komuna e Gjakovës

Gjakova sipas vlerësimit të MAPL-së

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka publikuar Raporti i vlerësimit të performancës për komunat. Matja e performancës është një proces i udhëhequr nga Ministria e Pushtetit Lokal ku komunat raportojnë të dhëna mbi përmbushjen e standardeve qeverisëse.

Gjakova, e udhëhequr nga kryetari i saj Ardian Gjini, ka arritur të përmbushë 63.85% të kritereve vlerësuese, që është 2% më shumë se mesatarja e përgjithshme.

Si fushë e parë është ajo e shërbimeve administrative, ku matet koha brenda të cilës qytetarët marrin përgjigje në kërkesat e tyre. Këtu hyjnë kërkesat për leje ndërtimore apo kërkesat e tjera drejtuar komunës.

Sipas raportit të performancës në fushën e shërbimeve publike, Gjakova i ka përmbushur kriteret me 85.47%.

Fusha tjetër e cila matet në këtë raport është  transparenca komunale, ku hyjnë publikimi i informacioneve në ueb faqen e komunës, transmetimi i mbledhjeve të asamblesë dhe transparenca në prokurimin publik. Në këtë Gjakova është vlerësuar se ka përmbushur kriteret në masën 88.75%.

Matja e përgjegjësisë komunale është si fushë tjetër, ku Gjakova e ka përmbushur me 62.42%. Në këtë fushë maten takimet e komunës me qytetarët gjatë hartimit të buxhetit si dhe suspendimi i zyrtarëve me aktakuza.

Barazia në punësim, Shërbime Sociale dhe Familjare është një fushë tjetër e cila matet nga MPL, e cila fushë përfshin punësimin e personave me aftësi të veçanta në institucionet komunale si dhe punësimin e komuniteteve jo shumicë. Në këtë fushë Gjakova ka përmbushur 45.59% të kritereve.

Gjakova është radhitur e 13-ta për nga fundi, me 62.4%, në plotësimin e kritereve në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në kuadër të kësaj fushe vlerësohen aktivitetet komunale në aspektin kulturor, rinor e sportiv.

Një fushë tjetër është edhe menaxhimi i fatkeqësive, e cila fushë përfshinë dukuritë e shkaktuara nga fuqitë e pakontrolluara. Në këtë fushë të me naxhimit të fatkeqësive natyrore, Gjakova është vlerësuar me 100%.

Në fushën ku matet zhivillimi hapësinor komunal, Gjakova është vlerësuar më pak se gjysma, ku ka marrë 46.28%.

Gjakova me 67.2% është vlerësuar në fushën e matjes së hapësirave publike. E në këtë fushë hyjnë hapësirat publike që janë me interes për qytetarët si dhe hapësirat që mirëmbahen nga komuna dhe të cilat kanë ndriçim publik.

Sipas raportit, Gjakova është radhitur e 29-ta, me 37.83% në fushën e infrastrukturës rrugore, e cila fushë përfshin trotuaret, ndriçimin, shenjëzimin si dhe shtegun e biçikletave.

Ndërsa, në fushën e transportit publik Gjakova është radhitur e 23-ta, me 64.9%.

Kurse tek paskingjet publike, Gjakova është radhitur gati në fund e 27-ta, me 26.9%. Kjo fushë matë  numrin e parkingjeve në komunë dhe numrin e vend parkimeve kundrejt veturave të regjistruara në komunë, po ashtu sa ka vende për taksi kundrejt numrit të taksive të licencuara dhe sa parkingje publike kanë vende të rezervuara për persona me nevoja të veçanta.

Mirëpo, sa i përket furnizimit të qytetarëve dhe bizneseve me ujë të pijshëm si dhe realizimit të projekteve komunale me ujë të pijshëm, Gjakova ka shënuar rritje me 87.50%.

Me 43.68%, komuna e Gjakovës ka arritur në fushën e kanalizimit, e cila fushë matë sistemin e kanalizimit dhe realizimit të projekteve komunale për rrjet të kanalizimit si dhe trajtimin e ujërave të zeza.

Në anën tjetër, për mbledhjen dhe deponimin e mbeturinave si dhe grumbullimin e të hyrave nga faturat e lëshuara për menaxhimin e mbeturinave, Gjakova është vlerësuar e 7-ta, me 88.4%.

Ndërsa, në fushën e mbrojtjes së mjedisit, e njëjta komuna ka pësuar rënje në vendin e 12-të, me 86.8%.

Kurse, në fushën e përfaqësimit gjinor, Gjakova është radhitur e 8-ta me48.9% të marrura si vlerësim nga raporti i MAPL-së. Sipas raportit, në këtë fushë matet qasja e të dy gjinive në programet e zhvillimit social e ekonomik, duke mos përjashtuar edhe aktivitete komunale.

Në fushën e arsimit parauniversitar, komuna e Gjakovës është vlerësuar me 59.92%, e cila fushë përfshin hapësira për çerdhe dhe shkolla të pajisura me kabinete për internet, masa të efiçencës së energjisë,  rekrutimin e personelit arsimor, licencimin e mësimdhënësve, mjetet e konkretizimit, pajisjet e shkollave me mjete mësimore, kabinete të TIK-ut, si dhe kushtet e sigurisë në shkollë.

Sa i përket fushës së kujdesit primar shëndetësor, e cila fushë përfshin edhe ofrimin e shërbimeve të shëndetësisë, Gjakova është radhitur e 10-ta, me 56.55%.

Mirëpo, në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, Gjakova ka marrë 64.1%. Kjo fushë mate aktivitetet e planifikuara dhe të zbatuara për zhvillimin e aktivitetit ekonomik në nivel lokal duke mobilizuar pronat komunale, dhe përditësim i rregullt i regjistrit të tatimpaguesve si dhe shkallë e lartë e inkasimit e tatimit në pronë.