Filmi: 'Galaktika e Andromedës'. Foto: Facebook/More Raça

'Galaktika e Andromedës' prezantohet në Festivalin e Filmit në Kajro 

Filmi “Galaktika e Andromedës” i regjisores More Raça është selektuar për pjesëmarrje në festivalin e filmit të Kajros në Egjipt (Cairo International Film Festival).  

Edicioni i 42-të i Cairo International Film Festival do të mbahet nga 2 deri më 10 dhjetro 2020.  

Filmi i Raçës do të prezantohet në kategorinë ‘International Critics‘ s week’ të këtij festivali. 

Regjisorja More Raça ka thënë për Kallxo.com se “Cairo International Film Festival” është festival prestigjioz i kategorisë A, ku janë përzgjedhur filma shumë të suksesshëm dhe të dëshmuar në festivalet botërore.  

“’Galaktika e Andromedës’ është në programin ‘International critics‘ week’ dhe garon për dy çmime që ndahen për këtë kategori. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që pas premierës botërore në kategorinë kryesoret të festivalit të Sarajevës marrim pjesë në një festival prestigjioz të kategorisë A”, ka thënë regjisorja Raça për Kallxo.com. 

Pjesëmarrja e filmit “Galaktika e Andromedës” vjen pak ditë pas suksesit që Raça arrti në arenën ndërkombëtare. Dokumentrai në zhvillim, Home is where the films are” i kësaj regjisore, dy ditë më parë ka marrë çmimin special në programin “DunaDoc”, që përkrahet nga kanali televiziv “HBO Europa” dhe nga programi “Fast Forward Program” i Qendrës së Filmit në Hungari. 

Filmi “Galaktika e Andromedës” ka për subjekt Shpëtimin, i cili jeton i vetëm me vajzën e tij, një takim i rastësishëm ia ndërron kahen e jetës. Ky takim i shkakton atij probleme të mëdha. Mbi të rëndojnë paragjykimet e shoqërisë. 

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike “Arena”, dhe është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.