Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Erërat e forta shkaktojnë përhapje të madhe të zjarrit në Shtupeq të Madh

Ka 10 ditë që zona të tëra në fshatin Shtupeq i Madh në Rugovë janë përfshirë nga zjarret.

Erërat e forta e kanë vështirësuar edhe më shumë situatën pasi me shpejtësi e kanë përhapur zjarrin.

Në një bisedë për KALLXO.com, Shefi i Emergjencës në Komunën e Pejës, Muhamet Mahmutaj, ka treguar se zjarri ka pas përhapje të madhe për shkak të erërave.

“Dje dhe pardje ka qenë jashtëzakonisht keq, sidomos dje ka pas përhapje të madhe të zjarrit”, tha Mahmutaj.

Mahmutaj tha se sot nuk ka pas erëra të forta, çka ka bërë që zjarri mos të përhapet.

“Është lokalizuar sot zjarri, situata pak me qetë era nuk është duke fry sot, po shpresojmë që ka me pas edhe rreshje të shiut sot pasdite”, tha tutje Mahmutaj.

Sipas shefit të Emergjencës dëmet nga erërat në qytetin e Pejës janë shumë të vogla, për dallim nga bjeshkët e Rugovës.

Ndërsa shtoi se në fshatin Bogë janë djegur dy shtëpi, por që nuk ka qenë shkak zjarri i përhapur në Shtupeq të Rugovës.

Mahmutaj tha se ekipet e zjarrfikëseve po ndihmohen nga Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia, Zyrtarë të Mjedisit si dhe KFOR-i.

Mbi 80 hektar tokë janë shkatërruar nga zjarri në Bjeshkët e Rugovës.