Dyshime të forta: Si u mbyll dosja e Bitcoin-ëve në Leposaviq?

Edicioni i së hënës i emisionit “Kallxo Përnime” sjell reportazhin hulumtues, i cili argumenton mbylljen e një rasti të dyshimtë në Prokurorinë e Mitrovicës.

Hulumtimi zbardh njërin nga rastet ku Policia e Kosovës kishte zbuluar makineri të dyshimta të prodhimit të kriptovalutave të fshehura në Leposaviq të cilat më pas nuk janë konfiskuar nga Prokuroria e Mitrovicës.

Reportazhi nxjerr në pah lokacione në veriun e Mitrovicës ku janë ndërtuar objekte ku janë vendosur makina të cilat shpenzojnë miliona euro energji elektrike të cilat nuk paguhen.

Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan e Mitrovica Veriore janë katër komunat, të cilat që nga paslufta nuk paguajnë energji elektrike.

Kamerat e emisionit “Kallxo Përnime” kanë filmuar disa prej këtyre fermave ndërsa ekipi i KALLXO.com ka biseduar edhe me ekspertë dhe banorë të zonës të cilët argumentojnë rritjen e shpenzimit të energjisë elektrike në këtë zonë.

Në rrëfime të rralla banorë të veriut të Kosovës tregojnë ku gjenden dhe ku janë të vendosura pajisjet që prodhojnë kriptovaluta.

Emisioni transmetohet sonte nga ora 22:15 në RTV Dukagjini dhe në KALLXO.com.