Hapja e këndit të DPA-së në ASHAK. Foto: Facebook/ASHAK

Drejtoria e Arkivave të Shqipërisë hap këndin e saj në Agjencinë e Arkivave të Kosovës

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë (DPA) ka hapur këndin e saj në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, (ASHAK).

Inaugurimi i këndit të DPA-së në ASHAK është bërë në prani të dy drejtuesve të arkivave përkatëse, Bedri Zyberaj, kryeshef ekzekutiv i ASHAK-së dhe Ardit Bido, drejtori i DPA-së.

Përms një njoftimi ASHAK-u ka bërë të ditur se qëllimi i hapjes së këndit arkivor të DPA-së është që të nxis hulumtimin e qytetarëve në arkiva dhe t’ua lehtësojë punën studiuesve që të hulumtojnë dokumente arkivore, të cilat gjenden në arkivin e shtetit shqiptar, pa qenë nevoja të udhëtojnë drejt Tiranës.

“Krerët e institucioneve u zotuan se në të ardhmen synojnë të hapin këndin arkivor edhe në qytetet dhe vendet tjera anembanë ku ka shqiptarë dhe se projektet e tilla do të kenë mbështetje dhe përkrahje të pa kursyer”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e ASHAK-ut.