Dita e Tokës e zë Kosovën me ambient të degraduar

Përdorimi i thëngjillit, ndërtimet e pakontrolluara, shkatërrimi i pyjeve, qarkullimi i madh i automjeteve të vjetra në komunikacion, ndërtimet e larta, shkatërrimi i lumenjëve nga ndërtimi i hidrocentraleve, deponitë e mbeturinave janë vetëm disa nga shkaktarët e e degradimit të tokës në Kosovë.

Data 22 prill është dita kur në të gjithë botën tentohet të rritet ndërgjegjësimi i banorëve të tokës për ta ruajtur dhe mbrojtur vendin ku jetojnë. Tema për këtë vit është “Rikthe Tokën Tonë” e cila përqendrohet në proceset natyrore dhe teknologjitë e gjelbra që mund të rikthejnë ekosistemet e botës.

Anipse qëllimi i kësaj dite është të nxjerrë në pah rëndësinë e ajrit të pastër, ujit dhe tokës, Kosovën kjo ditë e gjen me lumenjë të degraduar, pyje të shkatërruara e ajër të ndotur. 

Krenare Salihu, profesioniste e mjedisit dhe menaxhere e projektit ‘Zonat e Mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit’ për “World Wide Fund for Nature” Adria në Kosovë, tha për KALLXO.com se gjendja e mjedisit në Kosovë duke përfshirë pyjet, ujërat, dheun etj., është në një situatë jo të lakmueshme sa i përket qëndrueshmërisë dhe ballafaqimit me efektet e ndryshimeve klimatike.

“Trajtimi, shfrytëzimi dhe mirëmbajtja e pyjeve në funksion të përmirësimit të gjendjes së tyre duhet të kthehet në fokus të institucioneve përgjegjëse e po ashtu edhe te secili prej nesh. Është koha kur ende mund të bëjmë diçka për përmirësim të gjendjes, por neser mund të bëhet vonë”, potencoi ajo.

Sipas Agjensionit të Pyjeve të Kosovës, gjatë vitit  2019  në Kosovë ka pasur prerje të rregullta me vëllim prej: 181,699.62 metër në kub. 

Në bazë të Inventarizimit të Pyjeve të Kosovës, rritja vjetore e pyjeve është rreth 1.5 milion m 3 , kurse prerja e lejuar është rreth 1.4 milion m 3 , ndërsa sipas disa hulumtimeve të organizatave ndërkombëtare si FAO( Organizata e Bujqësisë dhe Ushqimit e Kombeve të Bashkuara), shfrytëzimi i drurit për ngrohje arrinë në rreth 2 milion metër në kub, që paraqet një tejshfrytëzim të pyjeve nga mundësia e rritjes vjetore.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në  vitin 2018 janë ngritur 5,648 fletëparaqitje për dëmtim të pyjeve me masë drusore 14,018.76 m3. Ndërsa në vitin 2019 janë ngritur 3,719 fletëparaqitje për dëmtim të pyjeve me masë drusore 19,842.08 m3.

Në anën tjetër, shkatërrimi i tokës po ndodh edhe në forma tjera duke shkatërruar resurset ujore apo duke i shterrur lumenjtë për ndërtimin e  operatorëve ekonomikë.

“Jemi dëshmitarë të keqpërdorimit të ujërave, duke u nisur nga shfrytëzimi i pa kontrolluar i ujit të pijes, mos menaxhimi i duhur i ujërave të zeza dhe zbrazja e tyrë në lumenj, shkatërrimi i shtretërve të lumenjëve duke shfrytëzuar inertet, duke ndërtuar diga dhe hidrocentrale, duke devijuar shtratin e tyre”, tha Salihu.

Gryka e Deçanit është degraduar nga ndërtimi i hidrocentraleve. Kompania “KelKos Energy” ka ndërtuar tri hidrocentrale në Deçan, përkatësisht hidrocentralet ‘Lumbardhi II’, ‘Belaja’, ‘Deçani’. KelKos po ashtu kishte blerë edhe hidrocentralin “Lumbardhi”, i cili më parë ka qenë hidrocentral funksional në Grykën e Deçanit. 

Në tjetrën anë deponitë e mëdha të mbeturinave janë ndër shkaktarët pse po degradohet një pjesë e mjedisit dhe po ndotet ajri.

“Menaxhimi i mbeturinave është një shqetësim tjetër, duke u nisur nga deponitë ilegale, hudhja e mbeturinave në brigje të lumenjëve, në pyje dhe sipërfaqe tjera, pastaj ende nuk është e organizuar klasifikimi i mbeturinave që kishte me mundësuar reciklimin e tyre” thekson Salihu.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për deponitë e mbeturinave nëpër qytete të ndryshme të Kosovës dhe ndotjen e lumenjëve nga kanalizimi si pasojë e mungesës së impianteve të ujërave të zeza.

Ndërkohë një ndër faktorët kryesor në degradimin e natyrës është përdorimi i thëngjillit për t’u furnizuar me energji elektrike. Obiliqi është qyteti që njihet me ndotjen e theksuar të ajrit për shkak të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Matjet e rrjetit shtetëror të monitorimit të cilësisë së ajrit, në kuadër të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, tregojnë se në mesin e qyteteve që përballen gjendje më të rënduar janë Prishtina, Peja, Gjilani, Prizreni dhe komuna të tjera me indeks më të ulët të ndotjes.

Ndërkaq, Organizata mjedisore ‘WWF Adria’ me rastin e  Ditës së Tokës  iu ka bërë thirrje organeve shtetërore të marrin masa për parandalimin e degradimit.

“Qeveritë duhet  të tregojnë një shkallë më të lartë të proaktivitetit në vlerësimin e situatës dhe shkëmbimin e informacionit me zonat e mbrojtura dhe një fleksibilitet më të madh në zbatimin e mekanizmave për financimin dhe sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme për zonat e mbrojtura, e cila do të mundësojë realizimin e mëtejshëm të të gjitha funksioneve e tyre” shkruan në komunikatë.

Dita e Tokës u vu re për herë të parë në 1970, kur 20 milionë njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër degradimit të mjedisit. Ngjarja u shkaktua nga derdhja e naftës e Santa Barbara më 1969, si dhe çështje të tjera të tilla si smogu dhe lumenjtë e ndotur.

Për gjatë gjysmës së shekullit të ardhshëm, Dita e Tokës vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm në aktivizmin mjedisor.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.