Çekani i drejtesise - Ilustrim

Dënohen me 22 vjet burgim dhe 3.500 euro gjobë për grabitjen në Shtime

Gjykata në Ferizaj ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurve A.T., A.M. dhe A.T.1. të akuzuar për vjedhje grabitqare.

Kryetari i trupit gjykues Sahit Krasniqi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor ka shpallur aktgjykimin sipas së cilit tre të pandehurit janë dënuat me burg dhe me gjobë.

A.T.. për veprën penale si në aktakuzë u dënua me 7 vjet burg dhe dënim me gjobë në shumë prej 1000 euro, i pandehuri A.M. u shpall fajtor u dënua me 7 vjet burg dhe dënim me gjobë në shumë prej 1000 euro, si dhe i pandehuri A.T.1 u dënua me 8 vjet burg dhe dënim me gjobë në shumë prej 1500 euro.

Të pandehurit akuzohen se më 7 gusht 2019, në fshatin Petroviq, Komuna e Shtimes duke vepruar si anëtarë të grupit, me dashje dhe përgatitje paraprake fillimisht janë takuar në Prishtinë, janë marrë vesh mes vete lidhur me veprimet e secilit nga ta, ashtu që me veturën të cilën e ka drejtuar tani i ndjeri F.G., janë nisur në drejtim të Shtimes.

Ndërsa me të arritur në fshatin Petroviq, e kanë ndalë veturën, me ç’rast të pandehurit A.T dhe A.M. kanë qëndruar në veturë duke pritur në gjendje gatishmërie, ndërsa i ndjeri F.G. dhe i pandehuri A.T.1. dalin nga vetura, të maskuar dhe të armatosur, nisen në drejtim të shtëpisë së të dëmtuarit, depërtojnë me forcë në brendi të shtëpisë dhe nga dhoma ku i dëmtuari kishte vendosur paratë e sjella nga Zvicra, arrijnë të marrin shumën e të hollave prej 24000 franga zvicerane dhe një orë dore të markës ‘Rolex’ në vlerë prej 15000 franga.

Por sipas akuzës, në dalje të shtëpisë, përkatësisht në terasë, zihen në befasi nga pronari i shtëpisë në kryerjen e aktit të vjedhjes.

Andaj  me qëllim që pasurinë e vjedhur ta mbajnë, të pandehurit përdorin forcën dhe kanosjen serioze duke sulmuar  të dëmtuarin, me ç ‘rast gjatë përleshjes i dëmtuari N.N plagoset me armë zjarri.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.