Seminar i shqipes. Foto: Facebook/ SNGJLKSH

COVID-19, shtyhet për kohë të pacaktuar mbajtja e Seminarit të shqipes

Këshilli Drejtues i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka njoftuar se ka shtyrë për kohë të pacaktuar mbajtjen e edicionit të 39-të të Seminarit, të caktuar për 30 dhe 31 tetor 2020.

Shkas për shtyrjen e mbajtjes së Seminarit të 39-të, sipas KD-së është infektimi me Coronavirus dhe izolimi i një pjesë të drejtuesve të Seminari.

“Meqenëse një pjesë e drejtuesve të Seminarit kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 dhe një pjesë tjetër janë në vetizolim duke pritur rezultatet e testeve, Këshilli Drejtues në pajtim me bashkëdrejtorinë e Tiranës ka marrë vendim që edicioni i Seminarit 39 për Gjuhën, Letërsisë dhe Kulturën Shqiptare të shtyhet për një kohë të pacaktuar”, thuhet në njoftimin e Seminarit të shqipes.

Sipas këtij njoftimi, situata e rënduar e ditëve të fundit dhe shtimi i infeksioneve në vend, por edhe në tërë Evropën e ka bërë pothuaj të pamundur mbajtjen e këtij edicioni në këtë kohë.

Pandemia e Coronavirusit bëri që Seminarit të mos mbahte në gusht, por të shtyhet dhe ishin caktuar datat 30 dhe 31 të këtij muaii për mbajtjen e seminarit, gjithnjë duke u bazuar në situatën e përmirësuar me COVID-19 në shator dhe në fillim të tetorit 2020.

“Në këtë kuadër, kemi bërë përpjekje maksimale që edicioni i sivjetmë të mbahet me çdo kusht, sepse kemi qenë të bindur se studiuesit e albanologjisë kanë nevojë që t’i shpalosin të arriturat e tyre shkencore edhe gjatë këtij viti të rëndë. Prandaj, kemi finalizuar programin dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ta filluar edicionin e sivjetmë në datat e publikuara më parë, por zhvillimet e fundit e kanë bërë të pamundur një gjë të tillë”, thuhet në njoftimin e Seminarit.

Seminar i shqipes. Foto: Facebook/ SNGJLKSH